Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja, i ka vlerësuar të vështira dy ndeshjet e fundit të grupit 2 të Ligës B të Ligës së Kombeve. Më 24 shtator, Shqipëria luan në Tel Aviv kundër Izraelit, ndërsa tri ditë më vonë e pret në Tiranë Islandën.
Shqipëria është e treta me një pikë, ndërsa lider është Izreali me katër pikë më shumë. Në vendin e dytë është Islanda.
Reja në konferencën për media të mbajtur të shtunën ka theksuar se Shqipërisë do t’i mungojnë lojtarë shumë të rëndësishëm. Por ka theksuar se pret maksimumin nga lojtarët që i ka në dispozicion.
“Nuk janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, por janë dy ndeshje shumë vendimtare për fatin tonë në këtë grup të Ligës së Kombeve. Duhet t’i bëjmë llogaritë me këtë grup lojtarësh që kemi tani. Nuk duhet të qahem, duhet ta bëjmë maksimumin me lojtarët që i kemi në dispozicion. Mungesat që kemi, janë lojtarë shumë të rëndësishëm, por edhe lojtarët e tjerë që kemi në skuadër janë lojtarë që kanë vlerat e tyre dhe ne do të shkojmë me bindjen që në ndeshjen e parë ta bëjmë mirë dhe të marrim rezultat të mirë. Besojmë që në këto ndeshje mund ta marrim maksimumin, do të jetë e vështirë, por ne do të besojmë deri në fund”, ka thënë Reja në konferencën për media të mbajtur të shtunën.
Ai insiston se gjasat për ta arritur vendin e parë në grup janë të mëdha.
Edhe
Shqipëria kërkon fitore në fund të një cikli të pasuksesshëm
“Sa shanse kemi të arrijmë vendin e parë në grup? – Jemi akoma në lojë për të marrë vendin e parë, nëse do të arrijmë t’i fitojmë këto dy ndeshje. Sigurisht kemi lojtarë me shumë eksperiencë dhe gjatë ndeshjeve të fundit kemi pasur edhe mungesa që na kanë kushtëzuar, por mendoj se do t’ia dalim. Do të përgatitemi mirë, aspekti karakterial do të jetë shumë i rëndësishëm në këto dy ndeshje. Jemi në kushte për të luajtur si të barabartë me të gjitha skuadrat, sidomos me Izraelin që e pamë se sa kundërshtar i fortë është. Kemi bindjen që mund të shkojmë atje dhe mund të bëjmë një ndeshje të mirë duke u bazuar te aspekti karakterial i lojtarëve dhe skuadrës”, është shprehur Reja.
Shqipëria më 26 tetor luan miqësore me Arabinë Saudite, ndërsa më 16 nëntor ndaj Italisë. Shqipëria ka në opsion edhe një ndeshje miqësore ndaj Kosovës, që mund të luhet në Gjermani ose Zvicër.