Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Broja optimist për ndeshjen e kuqezinjve me Izraelin

Sulmuesi i Chelseat, Armando Broja, ka thënë se Shqipëria synon veç fitore në udhëtim ndaj Izraelit. Ai në konferencën për media të enjten ka theksuar se gjatë grumbullimit kanë përgatitur disa skema për të fituar ndeshjen.

Ndeshja Izrael – Shqipëri luhet të shtunën në Tel-Aviv nga ora 20:45. Kjo përballje i takon grupit 2 të Ligës B të Ligës së Kombeve.

Broja thotë se është në formë të mirë dhe se nuk ka presion para takimit me Izraelin.

“Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme. Duhet fitore dhe nga tri pikë për secilën nga ndeshjet dhe trajneri është ai që bën formacionin. Në stërvitje kemi përgatitur disa skema për të fituar ndeshjen. Vetëm fitoren kemi në mendje dhe uroj që të marrim tri pikët”, ka thënë Broja.

Ai nuk ka komentuar formacionin me të cilin do të paraqitet Shqipëria, por ka pranuar se i pret ndeshje e vështirë të shtunën.

“E dimë që do të jetë ndeshje e vështirë, sepse na kanë mundur në ndeshjen e parë. Por kësaj radhe na duhet fitore dhe uroj të luajmë mirë si ekip dhe të marrim fitoren. Nuk kam shumë presion se luaj futboll, pasi kam nisur futbollin që në moshën tre vjeçare. Luaj futboll për qejf dhe për të fituar ndeshjen dhe për të ndihmuar ekipin, por nuk kam presion. Gjithmonë jam në formë. Kam bërë stërvitje çdo ditë dhe e dimë që është më e vështirë të luaj te Chelsea sesa të luaja te Southamptoni. Por jam stërvitur çdo ditë me lojtarë shumë të mirë dhe këtu në Shqipëri dhe jam fizikisht mirë”, ka thënë Broja.

Edhe Kuqezinjtë të gatshëm për “finalen” në Tel Aviv Sport Kuqezinjtë të gatshëm për “finalen” në Tel Aviv

Edhe mesfushori Qazim Laçi thotë se është i gatshëm ta jap maksimumin për t’u kthyer me fitore nga Izraeli.

“Do kemi pak presion, pasi duam të fitojmë ndeshjen, por nuk besoj se ekipi ka presion për momentin. Po punojmë shumë mirë dhe jemi të gjithë gati për të shkuar në Izrael e për të fituar këtë ndeshje të rëndësishme. Të marrim tre pikët pasi qëllimi ynë është vendi i parë në grup. Të gjithë lojtarët janë përgatitur 100%, nga portieri te sulmuesi. Të mundohemi të japim maksimumin dhe ta tregojmë në fushë që kemi vlerat dhe dëshirën për të marrë tri pikët që do të na japin shansin të vijmë në Shqipëri e të luajmë kundër Islandës e të fitojmë vendin e parë”, ka thënë Laçi.

Shqipërisë i duhen dy fitore për të siguruar vendin e parë në grup. Pas Izreelit, Shqipëria në “Air Albania” e pret më 27 shtator, Islandën. Izraeli është lider i grupit me pesë pikë, ndërsa dy pikë më pak ka Islanda në pozitën e dytë. Shqipëria është e fundit me një pikë.