Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Broja e Uzuni, optimistë për fitore ndaj Izrealit

Armando Broja shkëlqeu në Premier League të Anglisë, ndërsa Myrto Uzuni në La Liga të Spanjës. Por, Shqipëria nuk i pati në dispozicion asnjërin prej sulmuesve për ndeshjen e parë të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Shqipëria dy ditë më parë e mbylli baras 1:1 ndeshjen në udhëtim kundër Islandës në kuadër të grupit të dytë të Ligës B. Broja ishte i infektuar me koronavirus, kurse Uzuni vuante nga një lëndim. Broja i është bashkuar ekipit kuqezi vetëm të martën, ndërsa është shprehur i gatshëm për ta ndihmuar Shqipërinë ta fitojë ndeshjen kundër Izarelit. Ndaj Izraelit, ekipi kuqezi luan të premten në stadiumin “Air Albania” në Tiranë prej orës 20:45. E si Broja, ashtu edhe Uzuni pritet të jenë të gatshëm për Izraelin, që e nisi edicionin e tretë të Ligës së Kombeve me barazim 2:2 në shtëpi ndaj Islandës.

“Fizikisht jam mirë. Kam pasur COVID-19 në përfundim të sezonit me Southamptonin, por tanimë jam rikuperuar. Kam bërë stërvitje të personalizuar në Angli këto ditë dhe jam mirë. Pardje erdha, bëra stërvitje me ekipin dje dhe jam mirë”, ka thënë Broja.

Broja ka theksuar se ka përcjellë ndeshjen e parë të Shqipërisë kundër Islandës, ndërsa është optimist se ndaj Izraelit mund t’i marrin pikët e plota. Sipas tij, Izraeli është kundërshtar më i vështirë se Islanda.

“Nuk e di si do të jetë formacioni, e bën trajneri ekipin. Unë e pashë ndeshjen nga jashtë dhe kemi luajtur mirë, por mundemi edhe më shumë si ekip. Kundër Izraelit do të jetë edhe më e vështirë, por unë mendoj se do bëjmë maksimumin dhe uroj të marrim tre pikë. Kemi folur me trajnerin kur erdha këtu dhe më pyeti se si jam fizikisht. Në fund të fundit, ai është trajneri dhe ai e zgjedh ekipin. Nëse më zgjedh, do ta bëj maksimumin, për pjesën tjetër do të shohim”, është shprehur Broja.

Broja ka kërkuar nga përzgjedhësi Edoardo Reja ta angazhojë prej minutës së parë kundër Izraelit, pasi thotë se luan më mirë si titullar.

“Unë them se performancat e mia nuk ishin shumë të mira në përfundim të sezonit, po edhe si ekip kemi rënë pak. Nuk është justifikim, por jemi munduar të japim maksimumin. Unë luaj më mirë kur jam titullar sepse kam më shumë minuta në fushë, por është vendim i trajnerit dhe duhet dëgjuar mendimi i tij. Nuk kam presion kur luaj futboll, jam i ri. Për mua futbolli është gjëja më e bukur për mua, kënaqem dhe e jap maksimumin”, ka thënë Broja.

Sulmuesi i Chelseat pret të ketë përkrahje të madhe në Tiranë nga shikuesit shqiptarë. I gatshëm për lojë thotë se është edhe sulmuesi i Granadas, Myrto Uzuni. Uzuni u shpreh se ndaj Izraelit, Shqipëria synon veç fitore.

“Normal që të gjithë kërkojmë që të fitojë Kombëtarja, por mendoj që çunat kanë bërë një ndeshje shumë të mirë, pasi edhe një barazim me Islandën, jemi në garë për vendin e parë, që është edhe objektivi ynë. Presionin e ndiejmë gjithmonë, pasi nëse nuk ka presion, loja nuk bëhet e bukur. Luajmë në shtëpi, ndaj Izraelit, një ekip që mendoj se është më lart se Islanda, por nëse jemi të bashkuar dhe japim maksimumin, fitorja është e vetmja rrugë për të shkuar drejt objektivit tonë”, ka thënë Uzuni.

Uzuni ka thënë se Shqipëria ka një ekip të mirë. Ai thotë se duhet të jenë të bashkuar për ta fituar ndeshjen ndaj Izraelit.

“Kur luan futboll, gjithmonë shanset janë të mëdha. Kemi ekip me kualitet, të gjithë lojtarët luajnë në ekipe shumë të mira. E rëndësishme është fitorja, ky është objektivi ynë kryesor. E pamë ndeshjen ndaj Islandës, për mua ishte emocion ta shihja ndeshjen nga televizori se sa të isha atje. Tani grupi u plotësua i gjithi, përveç mungesës së Roshit, që ndihet pasi ka qenë gjithmonë aty për ekipin. Por tani mendojmë vetëm për fitore, as barazim, as humbje. Do të hymë në fushë me këtë ide”, ka thënë Uzuni.

Pas ndeshjes kundër Izraelit, Shqipëria më 13 qershor në Tiranë luan miqësore kundër Estonisë. Dy ndeshjet e tjera të edicionit aktual të Ligës së Kombeve i luan në shtator.

Artikuj të ngjashëm