Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pas barazimit në Reikjavik, Berisha i bindur në fitoren e Shqipërisë ndaj Izraelit

Portieri Etrit Berisha është plotësisht i bindur se Përfaqësuesja e Shqipërisë do ta mbyllë me fitore ndeshjen e ardhshme në kuadër të Ligës së Kombeve.

Shqipëria e nisi edicionin e tretë të kësaj gare të UEFA-s me barazim. Kuqezinjtë luajtën 1:1 në Reikjavik kundër Islandës, të hënën mbrëma.

Të premten, Shqipëria në stadiumin “Air Albania” në Tiranë e pret Izraelin në kuadër të Grupit 2 të Ligës së Kombeve.

Në këtë ndeshje Berisha thotë se Shqipëria nuk do të pajtohet me asnjë rezultat tjetër përveç fitores. Me fitore eventuale ndaj Izraelit, Shqipëria do t’i tubonte katër pikë në ndeshjet e këtij muaji dhe do t’i rriste gjasat për ta fituar grupin në shtator, kur i luan dy ndeshjet e fundit të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Pjesë e këtij grupi ishte edhe Rusia, por kjo përfaqësuese është përjashtuar nga të gjitha garat e UEFA-s dhe FIFA-s pas pushtimit të Ukrainës.

“Tani jemi të fokusuar vetëm në ndeshjen me Izraelin dhe kalkulime për të ardhmen nuk bëjmë. Është Izraeli dhe tri pikë në këtë ndeshje, pastaj do të shohim dhe përgatitemi për duelet që na presin në shtator”, ka thënë Berisha të martën për KOHËN. Portieri prishtinas do të jetë në portë edhe kundër Izraelit.

Berisha thotë se fitoren Shqipëria e kishte synim edhe ndaj Islandës, por pranoi se edhe barazimi është një sinjal pozitiv. Në fakt Shqipëria ishte në avantazh pas pjesës së parë, por me të filluar pjesa e dytë vendasit e barazuan rezultatin. Sipas Berishës, goli i Islandës ka mundur të evitohet, por tani kjo i takon së shkuarës dhe mendjen të gjithë lojtarët e kanë tek Izraeli. Përfaqësuesja e Izraelit në duelin e parë të këtij edicioni barazoi 2:2 në shtëpi kundër Islandës.

Edhe Shqipëria kërkon fitore në fund të një cikli të pasuksesshëm Sport Shqipëria kërkon fitore në fund të një cikli të pasuksesshëm

“Barazimin me Islandën e marrim si rezultat të mirë. Në fakt është një rezultat pozitiv edhe pse jemi të vetëdijshëm se kemi mundur të bëjmë më mirë dhe më shumë në këtë ndeshje. Në pjesën e parë e patëm lojën në kontroll, por pas golit të pranuar, që ishte shumë i evitueshëm, Islanda mori zemër dhe filloi të luante mirë”, ka shtuar Berisha. “Gjithsesi të luash në Islandë nuk është aspak lehtë. Është një terren i vështirë, ku pothuajse të gjitha përfaqësueset kanë problem të fitojnë”.

Për duelin me Izraelin, Shqipëria do të jetë edhe më e kompletuar në fazën e sulmit. Armando Broja, që mungoi ndaj Islandës për shkak se rezultoi pozitiv me koronavirus, është rikuperuar dhe është bashkuar me pjesën tjetër të ekipit, kanë raportuar mediumet nga Tirana të martën. Ekipi i përzgjedhësit Edoardo Reja do ta luajë edhe një ndeshje tjetër pas duelit me Izraelin, por do të jetë miqësore. Më 13 qershor, Shqipëria në Tiranë e pret Estoninë.

Shqipëria luan në nivel më të lartë se Kosova në Ligën e Kombeve. Liga B është niveli i dytë, kurse Liga C niveli i tretë. Kosova luan në Ligën C.