Përfaqësuesja e Shqipërisë po vazhdon përgatitjet para ndeshjeve të rëndësishme të Ligës së Kombeve. Të martën përzgjedhësi Edoardo Reja ka pasur të gjithë futbollistët në dispozicion. Ekipit në grumbullim i janë bashkuar edhe Armando Broja, Enis Çokaj, Ivan Balliu, Enea Mihaj e Qazim Laçi.
Shqipëria i luan dy ndeshjet e fundit të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve dhe synon fitore në të dyja për ta siguruar vendin e parë në grup dhe promovimin në Ligën A për edicionin tjetër.
Mesfushori i Interit, Kristijan Asllani ka thënë se fillimisht po mendojnë për duelin me Izraelin, përpara se të mendojnë për Islandën. Shqipëria të shtunën luan në udhëtim tek Izraeli kurse tri ditë më vonë e pret Islandën në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Asllani ka insistuar se ndaj Izraelit, Shqipëria do ta kërkojë fitoren. Sipas tij, “kuqezinjtë” mund t’i hakmerren Izraelit për humbjen që ua shkaktoi në Tiranë gjatë muajit qershor.
“Kemi luajtur kundër Izraelit, është një ekip shumë i fortë sepse ka lojtarë shumë të shpejtë. Besoj se kemi shumë shanse në këtë ndeshje që të marrim tri pikë”, ka thënë Asllani, i cili gjatë kësaj vere u transferua te skuadra e Interit nga Empoli. “Është normale që s’kam luajtur shumë këtë edicion tek Interi, por jam 20-vjeç dhe i jam bashkuar një ekipi të fortë. Duhet të kem durim pasi në rolin tim luan një lojtar i mirë si Brozoviq dhe po mësoj shumë nga ai. Stërvitem mirë, jam profesionit dhe kur më jepet rasti, do të jap më të mirën”.
Fitore ndaj Izrealit pret edhe mesfushori tjetër, Jurgen Gjasula. Ai ka thënë se Shqipëria e ka detyrim të marrë pikët e plota në këtë udhëtim dhe pastaj të fokusohet për ta mposhtur edhe Islandën javën e ardhshme. Në duelin e parë ndaj Islandës në udhëtim, Shqipëria ka barazuar.
Pas dy ndeshjeve të luajtura deri më tani, Shqipëria është e treta në Grupin 2 të Ligës B me një pikë. Izraeli është lider me pesë pikë, i ndjekur nga Islanda me tri sosh. Si Izraeli ashtu edhe Islanda kanë nga një ndeshje më shumë të luajtur se Shqipëria. Në grup është dashur të jetë edhe Rusia, por ajo u suspendua nga UEFA.
Me dy fitore, Shqipëria siguron vendin e parë dhe avancimin në Ligën A ku paraqiten top-përfaqësueset evropiane.
“Sigurisht që besojmë në fitore ndaj Izraelit. Edhe në ndeshjen e parë u pa qartë që kishim rastet tona për të fituar. E dimë gjithashtu se sa e rëndësishme është për ne kjo përballje. Kështu që duhet të japim maksimumin dhe të marrim pri pikët. Pra, fillimisht të përgatitemi për Izraelin dhe pastaj të mendojnë për Islandën, ndeshje që duhet gjithashtu ta fitojmë”, është shprehur Gjasula. “Kemi disa mungesa por edhe Izraeli ka gjithashtu. Në ndeshjet e fundit kanë ardhur shumë lojtarë të rinj, të cilëve u duhet pak kohë. Mirëpo, ne kemi cilësi për ta fituar këtë ndeshje”, ka shtuar Gjasula.