Shqipëria luan kundër Armenisë të shtunën, në miqësoren e katërt të muajit nëntor. Për kuqezinjtë është ballafaqimi i fundit i këtij viti.
Ndeshja Shqipëria – Armenia zhvillohet në “Air Albania” dhe nis në orën 17:30.
Përzgjedhësi Edoardo Reja në konferencën për shtyp të mbajtur të premten, e vlerësoi këtë miqësore si shumë të rëndësishme.
Tha se do të ketë rotacion në skuadër dhe do të luajnë lojtarët që kanë pasur më pak minutazh.
Kuqezinjtë nuk e kanë fituar asnjë ndeshje që nga 15 nëntori i vitit të kaluar kur mposhtën Andorrën 1:0, në kualifikimet për Kupën e Botës të këtij viti. Që nga ajo kohë, Shqipëria ka pesë disfata dhe po aq barazime.
“Më vjen shumë keq, sepse nuk jam mësuar me rezultate të tilla. Armenia është një ndeshje e rëndësishme dhe paraqet një vlerë shumë të madhe për ne. Dua të provoj lojtarët e rinj. Sidomos nga kampionati shqiptar janë 3-4 lojtarë që kanë treguar vlerat e tyre me Arabinë Saudite dhe Katarin dhe pres të bëjnë mirë në këtë takim”, ka theksuar Reja.
Edhe
Shqipëria synon fitore në miqësoren ndaj Estonisë
Edhe mbrojtësi Elseid Hysaj ka thënë se “kuqezinjtë” duhet të marrin fitore ndaj armenëve, për ta harruar vitin e vështirë.
“Ka qenë një vit i vështirë dhe nuk kemi pasur fitore. Besoj që duhet një fitore për ta mbyllur dhe për ta harruar këtë vit që kaloi, sepse kemi kaluar momente të vështira e momente të mira. Por, kështu e ka futbolli dhe të gjithë çunat e duan një fitore kundër Armenisë”, ka thënë Hysaj.
Shqipëria në miqësoret e nëntorit humbi nga Italia 3:1, nga Katari 1:0 dhe barazoi me Arabinë Saudite 1:1.