Sport

Te Kosova, të bindur se Challandesi ftoi më të mirët

Më 24 shtator të vitit të kaluar, Atdhe Nuhiu shënoi gol për skuadrën APOEL Nicosia, që garon në elitën e futbollit të Qipros. Goli i shënuar në kuadër të kualifikimeve të Ligës së Evropës është edhe i vetmi për sulmuesin shtatlartë.

Efikasiteti i mungon edhe te Kosova. Golin e fundit e ka shënuar më 14 nëntor të vitit 2019, në humbjen kundër Çekisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të këtij viti. Por, Nuhiu është ftuar rregullisht te Kosova, ndërsa është përfshirë edhe për ndeshjet e këtij muaji që “Dardanët” do t’i luajnë kundër Lituanisë, Suedisë dhe Spanjës. Me këto dy të fundit, Kosova do të përballet në kualifikimet për Botërorin “Katari 2022”, ndërsa me Lituaninë do të luajë miqësore. Megjithatë, Nuhiu që ka humbur edhe vendin e titullarit kohë më parë te skuadra nga Qipro, nuk është lojtari i vetëm i ftuar prej 27 lojtarëve nga përzgjedhësi i “Dardanëve”, Bernard Challandes, për ndeshjet e 24, 28 dhe 31 marsit, që nuk po luan apo ka minutazhë të vogël. Por, te Kosova kanë bindjen se përzgjedhësi Bernard Challandes ka ftuar më të mirët që ka në dispozicion.

“Momentalisht, dhe në këto rrethana mendojmë se kjo është lista më e mirë e mundshme. Këta janë lojtarët që llogarisim në ndeshjet e këtij muaji, pa i anashkaluar edhe të tjerët që i kemi në listën e gjerë”, ka thënë drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti për KOHËN.

Nuhiu është bashkë me Vedat Muriqin e Benjamin Kolollin në listën e të ftuarve për fazën e sulmit. Ky i fundit në vikendin e kaluar luajti 29 minutat e para për Zuerichun këtë vit. Ai i mungoi skuadrës zvicerane shkaku i lëndimit që e la jashtë fushës nga 16 dhjetori i vitit të kaluar. Por, situatë të mirë nuk po kalon edhe sulmuesi i parë i Kosovës, Vedat Muriqi. Së fundi, po luan pak, ndërsa golin e vetëm me fanellën e Lazios e ka shënuar në fund të muajit janar të këtij viti. E edhe më e rënduar është gjendja te futbollistët e mesfushës.

Hekuran Kryeziu është në kërkim të formës që e kishte dikur kur po luante rregullisht në nivel klubesh dhe ishte mesfushori kryesor defensivë te Kosova. Në dy ndeshjet e fundit ka luajtur për 90 minuta për Zuerichun. Stabilitet nuk ka gjetur tek Ankaraguçu as mesfushori tjetër në defensivë, Idriz Voca. Voca në ndeshjen e fundit u la në stol, ndërsa para ndeshjes kundër Goztepes luajti vetëm tre minuta. Në stol tek Erzurumspori në fundjavë, ishte edhe Elbasan Rashani. Rashani ka munguar në katër ndeshje qëkur u transferua te skuadra turke, ndërsa katër ndeshje i ka luajtur si rezervist, por pa dhënë ndonjë kontribut. Minutazhë jo të madhe së fundi ka pasur edhe Edon Zhegrova te Baseli. Kryesisht ka luajtur si rezervist, ndërsa nga bankina u inkuadrua edhe në ndeshjen e fundit kundër Luzernit, të cilën Baseli e fitoi 4:1. Një prej golave e shënoi Zhegrova. Zgjedhja e parë e trajnerit nuk ka qenë te Dinamo Zagrebi as Lirim Kastrati, ndërsa Florent Hasani që së fundi i është bashkuar skuadrës së Izraelit, Hapoel Kfar Saba, ka luajtur rregullisht, por pa lënë gjurmë. Ai nuk ka shënuar dhe nuk ka asistuar në ndonjë gol.

Porta vazhdon të jetë “pozita” më e ndjeshme te Kosova. Derisa Arijanet Muriq ka nisur të luajë te Willem II, Samir Ujkani herë ftohet e herë jo te Torino. Por ai nuk luan asnjëherë. Te Kosova, ndryshe nga herët e tjera janë përfshirë katër portierë. Për herë të parë, do të jetë i grumbulluar Betim Halimi që bën karrierë tek Olimpik Donetsku i Ukrainës. Halimi ishte i përfshirë edhe në listën e lojtarëve për ndeshjen e vitit të kaluar, atë miqësore ndaj Suedisë B, por për shkak të lëndimit nuk u grumbullua. Edhe portieri Visar Bekaj i Tiranës është në listë. Amir Rrahmani, Fidan Aliti, Betim Fazliji, Ibrahim Dresheviq, Mërgim Vojvoda, Florent Hadërgjonaj, Leart Paqarada dhe Lirim Kastrati po kalojnë formë të mirë në klubet e tyre. Pra, mbetet edhe reparti më stabil që ka Kosova, të paktën me paraqitje në klubet e tyre.

Sahiti që ka kaluar nga posti i ndihmëstrajnerit të Challandesit, në postin e drejtorit të përfaqësueses thotë se situata me koronavirus ka lënë disa futbollistë pa u përfshirë në ekip. Por, ai thotë se me pjesën tjetër që janë në listë, nuk do të ketë telashe. Sipas tij, këtë herë nuk kanë probleme sikurse vitin e shkuar kur Kosova nuk arriti të llogariste në disa prej lojtarëve kryesorë, të cilët nuk u bashkuan për shkak se rrezikonin karantinimin kur të ktheheshin te klubet e tyre.

“Momentalisht me këta në listë, nuk kemi probleme. Të gjithë janë mirë dhe të gatshëm për të ardhur. E kanë edhe një ndeshje deri në grumbullim dhe shpresojmë të mos kenë ndonjë lëndim, por jemi të përgatitur edhe për këtë. Nuk rrezikojnë karantinim si herëve të tjera kur jemi penalizuar. Jemi të kënaqur me formën e lojtarëve, që në përgjithësi kanë pasur minutazhë dhe paraqitje të mira. Disa kanë minutazhë të mirë dhe jemi të kënaqur, disa kanë më pak, por kjo është gjendja jonë”, është shprehur Sahiti.

Kosova të hënën do ta nisë grumbullimin, ku në mbrëmje do ta mbajë stërvitjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Këtë muaj Kosova do t’i luajë tri ndeshje, dy në kuadër të eliminatoreve për Botërorin e vitit të ardhshëm dhe një tjetër miqësore. Më 24 mars, në Prishtinë, luan miqësoren kundër Lituanisë, kurse katër ditë më vonë, në të njëjtin stadium, do të përballet me Suedinë në kuadër të Grupit B eliminator. Ndaj Spanjës, Kosova luan më 31 mars në Sevilla.