Sport

Forma aktuale nuk jep shumë shpresë për gola të Kosovës

Te Përfaqësuesja e Kosovës janë krenuar gjithnjë për numrin e madh të futbollistëve të fazës ofensive. I madh është edhe tash numri i lojtarëve me tipare sulmuese që janë ftuar nga përzgjedhësi Bernard Challandes për tri ndeshjet e këtij muaji. Janë plot 13 prej 27 sa i ka ftuar gjithsej selektori zviceran për ndeshjen miqësore kundër Lituanisë dhe dy ndeshjet kualifikuese për kampionatin botëror “Katari 2022”.

Por forma aktuale e tyre nëpër klube të ndryshme të Evropës nuk jep shumë shpresë për gola të Kosovës.

“Dardanët” do të luajnë kundër Lituanisë, Suedisë dhe Spanjës. Me këto dy të fundit do të përballet në kuadër të kualifikimeve për botërorin “Katari 2022”, ndërsa me Lituaninë do të luajë miqësore.

Sulmuesi kryesor i “Dardanëve”, Vedat Muriqi, ka luajtur titullar te Lazio që të dielën mposhti në udhëtim Udinesen me rezultatin 1:0. Muriqi u largua nga fusha pa lënë gjurmë, në minutën e 66-të. Për Lazion, Muriqi ka shënuar dy gola në fund të muajit janar. Që të dy golat i ka shënuar kundër Atalantas, por ai i shënuar për Kupë më 27 janar i është kontestuar.

Edhe më keq se Muriqi qëndron situata me Atdhe Nuhiun. Nuhiu nuk ka qenë fare në skuadër në dy ndeshjet e fundit te skuadra e Qipros, APOEL Nikosia, skuadër për të cilën golin e vetëm e ka shënuar më 24 shtator të vitit të kaluar. Goli i shënuar nga sulmuesi shtatlartë u takoi kualifikimeve të Ligës së Evropës.

Efikasiteti Nuhiut i mungon edhe te Kosova. Golin e fundit e ka shënuar më 14 nëntor të vitit 2019, në humbjen kundër Çekisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të këtij viti. Por Nuhiu është ftuar rregullisht te Kosova. Muriqi e Nuhiu janë dy lojtarët e vetëm te Kosova që luajnë në qendër të sulmit, ndërsa në pozitën e sulmuesit, Challandes e ka menduar edhe Benjamin Kolollin. Kololli të dielën luajti për herë të parë si titullar pas kthimit nga lëndimi që e la jashtë fushës nga 16 dhjetori i vitit të kaluar. Ai të dielën luajti 70 minuta, ndërsa para një jave vetëm 29 minuta. Nuk la gjurmë.

Pak hapësirë pati edhe Elbasan Rashani te Erzurumi në Turqi. Ai në humbjen e skuadrës së tij nga Antalyaspori luajti nga minuta e 73-të. Ishte ndeshja e pestë për të ndërsa nuk ka shënuar gol.

Gol së fundi për skuadrën e Reimsit nuk ka shënuar as Arbër Zeneli. Sulmuesi i krahut të majtë golin e fundit për skuadrën franceze e shënoi më 13 shkurt, ndërsa në total ka tri gola në 21 paraqitje. Zeneli nuk luajti fare në ndeshjen e së dielës. Valon Berisha është aktivizuar si rezervist te Reimsi ndaj Dijonit. Te Dijoni gjatë tërë takimit u paraqit Bersant Celina, por ai nuk shënoi e as nuk asistoi në fitoren e skuadrës së tij. Celina nuk ka shënuar asnjë gol në 25 paraqitje. Ai luan rregullisht te Dijoni, skuadër për të cilën ka kontribuar me pesë asistime.

Dijoni është në vendin e fundit me pak gjasa për ta siguruar mbijetesën, ndërsa Remsi me këtë fitore ka bërë një hap të madh drejt sigurimit të mbetjes në elitën e futbollit francez.

Asnjë gol këtë edicion në Bundesligën e Gjermanisë nuk ka shënuar as Milot Rashica, ndonëse pritjet nga sulmuesi vushtrrias ishin të mëdha. Ai në 16 paraqitje ka asistuar pesë herë.

Në formë të luhatshme janë edhe Edon Zhegrova, Florent Hasani, Lirim Kastrati, Bernard Berisha dhe Besar Halimi.

Por te Kosova patën vlerësuar se në rrethana aktuale përzgjedhësi Challandes ka ftuar lojtarët më në formë që ka, megjithëse Shkëlqim Demhasaj është duke shënuar e asistuar për klubin e tij Grasshopper. Grasshopperi është në “Challange League”, por vlerësohet pretendues kryesor për t’u ngritur në Superligë.

“Momentalisht dhe në këto rrethana mendojmë se kjo është lista më e mirë e mundshme. Këta janë lojtarët që llogarisim në ndeshjet e këtij muaji, pa i anashkaluar edhe të tjerët që i kemi në listën e gjerë”, ka thënë drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, për KOHËN.

Sahiti, që ka kaluar nga posti i ndihmëstrajnerit në postin e drejtorit të Përfaqësueses, ka thënë se situata me koronavirus ka lënë disa futbollistë pa u përfshirë në ekip.

Kosova të hënën do ta nisë grumbullimin, ku në mbrëmje do ta mbajë stërvitjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa para mediave për herë të parë në këtë grumbullin përzgjedhësi Challandes do të paraqitet të martën.