Një humbje dhe një fitore është bilanci i Përfaqësueses së Kosovës në ndeshjet e para të fazës së parë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”.
Kosova u mposht nga Norvegjia (86:77), përpara se të triumfojë të dielën mbrëma në Prishtinë ndaj Danimarkës (78:73). Në fakt, Danimarka vlerësohej kundërshtare shumë më e fortë se Norvegjia, pasi renditet e 55-ta në ranglistën botërore. Kosova është e 70-ta, kurse Norvegjia e 89-ta.
Fitorja ndaj Danimarkës ka sjellë optimizëm të madh te “Dardanët”, që tani besojnë se mund ta fitojnë grupin e fazës së parë parakualifikuese për të avancuar në fazën tjetër. Përfaqësuesja e vendit të parë kualifikohet tutje, si dhe përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë nga tri grupet.
Aktualisht Kosova është e para në Grupin C me tri pikë të mbledhura, ndërsa dy ndeshjet e tjera të kësaj faze i luan vitin e ardhshëm. Fillimisht e pret Norvegjinë (27 shkurt) përpara se të përballet në udhëtim me Danimarkën (30 qershor).
Basketbollistët Meriton Ismaili (Sigal Prishtina) e Valon Bunjaku (Bashkimi) janë optimistë për dy ndeshjet e tjera. Ismaili ishte ndër më të dalluarit te Kosova në të dy ndeshjet, ndërsa Bunjaku shpërtheu në triumfin ndaj Danimarkës. Ndaj danezëve, Bunjaku për 31 minuta lojë kontribuoi me 14 pikë, katër asistime e tri kërcime, ndërsa me Norvegjinë nuk realizoi asnjë pikë për 18 minuta të kaluara në parket. Me fitoren e së dielës Kosova ka ndërprerë serinë prej pesë humbjeve.
“Me Norvegjinë ishte një udhëtim i vështirë dhe mendoj që lodhja ka ndikuar në të gjithë ekipin, jo vetëm tek unë. Për këtë arsye nuk kemi mundur ta gjejmë lojën tonë si ekip. Megjithatë, duhet të jemi të kënaqur me angazhimin që e patëm ndaj Norvegjisë dhe jam i bindur se në ndeshjen e ardhshme që do ta luajmë në muajin shkurt në Prishtinë, do ta mposhtim”, ka thënë Bunjaku të hënën për KOHËN. “Çdo fitore në garat ndërkombëtare, qoftë me epërsi të thellë apo minimale, është e rëndësishme. Fitoren kundër Danimarkës e arritëm së bashku. Ky triumf na ka mbushur me optimizëm dhe besojmë se mund ta fitojmë edhe grupin për të avancuar në fazën tjetër të parakualifikimeve, që do të ishte shumë e rëndësishme për ne”.
Ismaili ndaj Danimarkës pati dhjetë pikë për 17 minuta lojë, ndërsa kundër Norvegjisë realizoi 16 pikë për 16 minuta lojë. Ishin ndeshjet në të cilat Ismaili pati minutazhën më të madhe te Kosova.
“Me fitoren ndaj Danimarkës përfundimisht i kemi rritur gjasat tona për ta zënë vendin e parë dhe të kalojmë tutje, ndonëse nuk do të jetë lehtë. Në përgjithësi mund të them se paraqitjet tona në të dy ndeshjet ishin të mira, duke pasur parasysh mungesat e disa lojtarëve për shkak të lëndimeve. Me Norvegjinë na ka munguar pak loja në mbrojtje, kurse ndaj Danimarkës kemi mundur të shënojmë fitore edhe më të thellë pasi në çerekun e katërt patëm 21 pikë epërsi. Megjithatë, me rëndësi është që e fituam ndeshjen dhe kjo na bën optimistë për duelet e tjera”, theksoi Ismaili.
“Jam i kënaqur në përgjithësi me paraqitjet e mia, pasi jam munduar ta jap maksimumin në të dy ndeshjet. Normalisht kjo ka ndikuar që edhe trajneri të ketë besim te unë dhe të më jap më shumë minutazhë, gjë që më bën edhe më të kënaqur. Ndoshta nuk kam pritur kaq hapësirë të madhe, por me rëndësi është që unë ia shpërbleva të gjithëve besimin”.
Fundori Bunjaku ka shtuar se Kosova mund të japë edhe më shumë në dy ndeshjet e ardhshme. Sipas tij, lojtarët dëshmuan se Superliga e Kosovës është cilësore.
“Ishim të gjithë vendorë dhe atmosfera e mirë ka ndikuar edhe në lojë, sidomos me Danimarkën. Disfata nga Norvegjia vetëm na bashkoi edhe më shumë ndaj Danimarkës, ndonëse mendoj se ky nuk është maksimumi ynë. Në ndeshjet e tjera do të japim edhe më shumë nga vetja për të fituar dhe për ta mbajtur pozitën e parë në grup. Besoj se do të jemi edhe më të kompletuar”, tha Bunjaku.