Sport

Kosova shënoi ngritje, por jo mjaftueshëm sa për të kaluar parakualifikimet

Kosova shënoi dy fitore ndaj Zvicrës dhe luajti një ndeshje të fortë me Danimarkën. Por në fund nuk realizoi synimin e madh – kalimin në kualifikimet e rregullta për “Eurobasket 2025”.

32 përfaqësuese evropiane do të paraqiten në kualifikimet e rregullta. Ndeshja mes Kosovës dhe Danimarkës, e luajtur të shtunën mbrëma në Prizren, ka vendosur për biletën e fundit për kualifikime. Danimarka ka dominuar nga fillimi e deri në fund për fitoren bindëse, 88:63. Kështu Danimarka kaloi në kualifikime, ndërsa Kosova pret rast tjetër për sukses.

Ka kohë që Kosova nuk ka pasur kampanjë të suksesshme, përkatësisht kualifikime që përfunduan me promovim. Në Federatën e Basketbollit të Kosovës, megjithatë, vlerësojnë ngritjen që e ka bërë përfaqësuesja. Ngritje që në fund nuk ishte e mjaftueshme.

Optimizmi u rrit pasi Përfaqësuesja mposhti Zvicrën me rezultat 76:49 më 19 korrik në Prizren. Ndeshje të madhe basketbollistët e Kosovës luajtën edhe në Naestved të Danimarkës, më 26 korrik. Por danezët fituan në fund me shifrat 82:75. Në fakt Kosova ishte në lojë deri në fund, por u mposht me shtatë pikë dallim.

Rënia në formë nisi në Fribourg të Zvicrës më 29 korrik. Ndonëse luajti zbehtë, Kosova ia doli të shënojë fitore ndaj Zvicrës me rezultat 76:72. U vlerësua karakteri i skuadrës, që arriti te fitorja me gjithë telashet e shumta në lojë.

Ndërkohë të shtunën në Prizren danezët kanë dominuar dhe kanë dëshmuar se janë nivel më i lartë. Humbja e thellë është dëshmi që në Përfaqësuese, ndër të tjera, ka mungesë konkurrence. Po ashtu u dëshmua që lojtarët me përvojë tashmë e kanë të pamundur të mbajnë ritmin e lartë në katër ndeshje të forta rresht. Ndërkohë që lojtarët më të rinj ende nuk po ia dalin të zëvendësojnë lojtarët që janë bartës për gati një dekadë. Mungesa e konkurrencës në Përfaqësuese vlerësohet se paraqet gjendjen në skuadra, ku basketbollistët vendorë kanë gjithnjë e më pak hapësirë e më pak përgjegjësi. Ka kohë që në skenë nuk ka dalë ndonjë lojtar që bart barrën në skuadrën e tij.

Ndaj Danimarkës edhe lojtarët me përvojë nuk e përballuan presionin.

“Presioni është në secilën ndeshje të basketbollit. Nëse dëshiron të luash basketboll duhet ta përballosh. Unë e marr përgjegjësinë për sistemin e lojës”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës, Rami Hadar.

Vlerësohet se tekniku nga Izraeli ka sjellë frymë të re në Përfaqësuese. Por Kosova është në mesin e përfaqësueseve që nuk e kaluan me sukses raundin e tretë parakualifikues. Në raundin e tretë u ndalën edhe Irlanda, Luksemburgu, Zvicra, Rumania, Shqipëria, Norvegjia e Austria. Në asnjë prej këtyre vendeve liga vendore nuk përcillet me interesim aq të madh sa në Kosovë. Interesimi i tifozëve, megjithatë, nuk po mjafton.