Sport

Janjeva: Me përkrahjen e shikuesve, do ta kalojmë Danimarkën

Po luhej minuta e fundit. Kosova ishte duke pësuar 72:71 nga Zvicra. Mbrojtja e zviceranëve ishte e fortë dhe Dominic Artis bëri gjuajte të vështirë për tri pikë. Nuk qëlloi, por Muhamedali Janjeva realizoi kërcim të suksesshëm në sulm. Gjatë tentimit për dy pikë, Janjeva u faulua. Por i realizoi dy gjuajtjet e lira për epërsinë 73:72 të Kosovës, 36.9 sekonda para fundit. Ishte prej momenteve vendimtare në ndeshjen e së shtunës në Fribourg të Zvicrës.

Janjeva më pas ndihmoi edhe në mbrojtjen e suksesshme dhe Kosova në fund fitoi 76:72. Me fitore mbeti në garë për të kaluar me sukses rundin e tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”.

“Kam pasur hapësirën e duhur në ndeshjet e fundit. Kam besimin e selektorit dhe shpresoj se e kam shpaguar besimin e tij”, ka thënë Janjeva për KOHËN.

Në ndeshjen ndaj Zvicrës, basketbollisti prishtinas në parket i kaloi mbi 16 minuta. Realizoi nëntë pikë, ndërsa i kishte edhe tri kërcime. Shënoi një trepikësh të rëndësishëm në çerekun e katërt. Por kontributi i Janjevës nuk është i kufizuar vetëm në pikë e kërcime.

Në ndeshjen e parë ndaj Zvicrës, 24-vjeçari luajti fare pak. Ndaj Danimarkës luajti 13 minuta, e më shumë hapësirë kishte në ndeshjen e dytë me Zvicrën.

“Në fillim nuk kam pasur shumë hapësirë, por kam vazhduar të punoj shumë. Por në përfaqësuese jemi 12 lojtarë që e meritojmë të luajmë. Nuk mund të ketë hapësirë të madhe dhe minutat që i kemi duhet t’i shfrytëzojmë”, ka shtuar Janjeva.

Kosova ndaj Zvicrës në udhëtim nuk shkëlqeu, por megjithatë arriti fitoren e rëndësishme. Sipas Janjevës, ka ndikuar edhe lodhja nga udhëtimi i gjatë.

“Koncentrimi nuk ishte i duhuri, por jemi kthyer dhe kemi fituar. Kjo dëshmon se përfaqësuesja ka edhe mentalitetin e duhur”.

Basketbollistët fillimisht udhëtuan për në Danimarkë e prej këtij vendi për në Zvicër.

“Atmosfera në përfaqësuese është shumë e mirë. Fitorja në sekondat e fundit ka ndikim të madh në atmosferë. Shpresoj se do të na ndihmojë që ndaj Danimarkës ta shfaqim lojën më të mirë deri më tani. Na duhet paraqitja më e mirë për të shënuar fitore”, ka theksuar Janjeva.

Të shtunën e ardhshme, Kosova e pret Danimarkën. Ndeshja zhvillohet nga ora 20:45 në Prizren. Kosovës i duhet fitorja me më shumë se shtatë pikë dallim për t’u kualifikuar tutje.

“Përkrahja e shikuesve është shumë e rëndësishme. Në Zvicër kishim përkrahjen e tifozëve dhe kjo ishte përparësi e madhe për ne. Pritet që në Prizren të kemi përkrahjen e madhe nga tribunat. Shikuesit janë lojtari ynë i gjashtë. Natyrisht, nuk do të jetë lehtë ndaj Danimarkës. Ka lojtarë në Euroligë, në ligën spanjolle. Por nuk po mendojmë për këtë. Po mendojmë për lojën tonë dhe për të realizuar synimin”, ka thënë Muhamedali Janjeva.