Futboll

Te Sllovenia i gëzohen stadiumit të mbushur në Prishtinë

sll

Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i mbushur me shikues për ndeshjen e së premtes mes Kosovës dhe Sllovenisë.

Ndeshja i takon kualifikimeve për Botërorin 2026, ndërsa është e rëndësishme për të dy përfaqësueset. 

Sllovenia nuk ka nisur mirë kualifikimt, ndërsa ecuria e saj do të varet shumë nga paraqitja në Prishtinë.

Mbrojtësi i majtë, Erik Janzha, foli të mërkurën për faqen zyrtare të federatës sllovene.

“Kemi edhe dy ditë përgatitje para ndeshjes me kundërshtarin kualitativ. Jemi të vetëdijshëm që duhet të jemi të vërtetët, nuk ka shumë hapësirë për të filozofuar. E dimë çka duhet të bëjmë nëse duam të avancojmë”, ka thënë Janzha.

Ai thotë se Sllovenia duhet të luajë më mirë se në ndeshjet e kaluara. Është optimist për rezultatin, nëse paraqitja është e duhur.

Po ashtu ka thënë se sllovenët janë të gatshëm për të luajtur në atmosferë elektrizuese.

Janzha pret fillim të zjarrtë të ndeshjes.

“Edhe nëse kundërshtari bën presion në fillim, ne duhet të qëndrojmë të qetë dhe të bashkuar. Nuk duhet t’i komplikojmë gjërat, por të përgjigjemi me vendosmëri dhe në mënyrë të organizuar. Besoj se pjesa tjetër e ndeshjes do të jetë më e lehtë dhe do të kemi më shumë shanse për sukses”, ka theksuar lojtari që i ka 25 paraqitje e tri gola për Slloveninë.

32-vjeçari është i lumtur që stadiumi do të jetë përplot.

“Është gjithnjë mirë kur tifozët janë në stadium. Sa më e zjarrtë të jetë atmosfera, motivi është më i madh. Jemi të sigurt se do të gjejmë një mjedis të jashtëzakonshëm dhe energji të mirë”, ka theksuar Erik Janzha, që luan në Poloni për skuadrën Gornik.

Edhe mbrojtësi Zhan Karniçnik, ka thënë se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjeve.

“Sidomos ndeshja e parë do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme. Duhet të hyjmë me qëllim të qartë – që të fitojmë”, ka thënë mbrojtësi i Celjes. 

Ai e di se te tifozët e Kosovës ka eufori pas fitores ndaj Suedisë.

“Kosova është kapluar nga euforia pas fitores ndaj Suedisë. Kështu që do të duhet ta qetësojmë në fillim, duke përballuar presionin e saj. Ne kemi besim në kualitetin tonë dhe në stilin tonë të lojës, që do të jetë vendimtar për sukses”, ka thënë Karniçnik.

Më 5 shtator, Sllovenia luajti 2:2 me Suedinë në Lubjanë, ndërsa Kosova pësoi 4:0 nga Zvicra në Basel.

Më 8 shtator Kosova fitoi 2:0 në “Fadil Vokrri” ndaj Suedisë, ndërsa Sllovenia humbi 3:0 nga Zvicra po në Basel.