Sport

Humbja e thellë nga Danimarka, nxori në pah mungesën e lojtarëve vendorë në klubet kosovare

Basketbollistët e Kosovës kanë mbyllur edhe një cikël të garave të FIBA-s pa sukses. “Dardanët”, që kishin synim të avanconin prej fazës së parë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”, kanë përfunduar të fundit në Grupin C që përbëhej prej tri përfaqësueseve. Në katër ndeshje të zhvilluara, bilanci i Kosovës është një fitore e tri humbje.

Kosova këtë cikël e përfundoi të enjten mbrëma me humbje të thellë nga Danimarka. Dueli i luajtur në Naestved përfundoi me shifrat 105:71 për një ndër disfatat më të thella të Kosovës prej se merr pjesë në garat zyrtare të FIBA-s. Krahas Danimarkës, të cilën e kishte mposhtur në nëntor të vitit të shkuar në Prishtinë, Kosova në grup e kishte edhe Norvegjinë. Prej Norvegjisë, që po kthehej në skenën ndërkombëtare pas 20 vjetësh , Kosova humbi dy ndeshjet.

Në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) kanë pranuar se kanë pritur të kalojnë në fazën e dytë parakualifikuese. Drejtues të FBK-së kanë paralajmëruar se do të bëjnë një vlerësim të gjendjes, jo vetëm te ekipi A i meshkujve, por tek të gjitha gjeneratat.

Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, të premten ka thënë se Kosovës i kushtoi shumë humbja në Mitrovicë nga Norvegjia, ndeshje kjo e luajtur në shkurt të këtij viti, e që përfundoi me fitoren e mysafirëve 95:92 pas vazhdimit prej pesë minutash.

“Në fakt ne kemi pritur kalimin tutje. Pra të avancojmë nga faza e parë parakualifikuese. Humbja nga Norvegjia në fillim të këtij viti na ka kushtuar shumë”, ka thënë Dushku për KOHËN.

Humbjen e fundit nga Danimarka, Dushku e ka arsyetuar me mungesën e disa lojtarëve kyç. Përfaqësuesja kishte udhëtuar drejt Danimarkës me vetëm 11 lojtarë. Valon Bunjaku e Mikaile Tmushiq u lënduan gjatë përgatitjeve, kurse nuk ishte i gatshëm as Meriton Ismaili, që ishte në stol. Erjon Kastrati nuk ishte grumbulluar fare për shkak të problemeve fizike. Mungoi edhe Lis Shoshi. Te Kosova në Naestved nuk ishte asnjë amerikan i natyralizuar.

Prej katër ndeshjeve të kësaj kampanje, vetëm në atë ndaj Norvegjisë në shtëpi ishte Scott Bamforth. Në tri ndeshjet e tjera, Kosova ka luajtur me vendorë, përfshirë edhe Amin Hotin e natyralizuar.

“Tani po presim të përfundojnë të gjitha aktivitetet e përfaqësueseve dhe më pas do të bëjmë një vlerësim të gjendjes në secilën prej tyre në të dy konkurrencat, duke filluar nga stafi i trajnerëve deri te lojtarët”, ka paralajmëruar Dushku, e cila ka folur edhe për disfatën e thellë nga Danimarka. “U mposhtëm për shkak se ekipi nuk ishte i kompletuar dhe ne kemi kërkuar nga lojtarët që të angazhohen maksimalisht dhe të bëjnë më të mirën në parket”.

Dushku ka insistuar se FBK-ja është tejet e interesuar për ta ngritur nivelin e përfaqësueseve. Ndërsa sa i përket mungesës së konkurrencës në ekipin A, ka theksuar se klubet duhet të bëjnë punë më serioze me gjeneratat e reja. Ajo ka paralajmëruar se nëse është e nevojshme do të bëhen ndryshime drastike në mënyrë që në garat e tjera të FIBA-s, Kosova të ketë paraqitje dukshëm më të mirë.

“Jemi shumë të interesuar ta rrisim nivelin jo vetëm të ekipit A, por të gjitha përfaqësueseve. E them këtë për shkak se investimet nuk po mungojnë dhe janë shumë të mëdha. Kështu që nëse është nevoja do të bëjmë edhe ndryshime drastike vetëm e vetëm që të përmirësohemi dhe të bëjmë shumë më mirë në garat e radhës që do të paraqitemi”, insistoi Dushku.

Edhe basketbollisti i Kosovës, Drilon Hajrizi, ka pranuar se humbja nga Danimarka ishte shumë e thellë. Ai ka përmendur mungesat e shumta, por ka thënë se këto nuk e arsyetojnë paraqitjen që e kishin ndaj Danimarkës. Hajrizi ka theksuar se prej grumbullimit të parë për këto parakualifikime, asnjëherë nuk kanë qenë të kompletuar. Sipas Hajrizit, klubet duhet të investojnë më shumë në lojtarët e rinj për shkak se përfaqësuesja po përballet me mungesë të vendorëve dhe kjo pastaj po reflekton me rezultate jo të mira.

Në fakt interesimi për basketbollin është kthyer hovshëm në vend. Palestrat në ndeshjet e fundit ishin të stërmbushura. Klubet vazhdimisht mburren që punojnë edhe me kategori të reja. Numri i shkollave të basketbollit në vend është i madh e po ashtu edhe numri i fëmijëve që merren me këtë sport. Por ka mungesë të lojtarëve cilësorë vendorë në ekipet seniore dhe shumica e klubeve bazohen në lojtarët e huaj.

Kjo gjendje nuk po ndryshon për dy dekada. Dhe ndeshjet e përfaqësueses e paraqesin gjendjen e vërtetë. Atë që lojtarët cilësorë vendorë janë gjithnjë e më të paktë. Aq sa është telashe të formohet një dymbëdhjetëshe vetëm me vendorë. Pos Hotit, pasaportën e Kosovës e ka marrë edhe Mikaile Tmushiq, po ashtu lojtar i rëndësishëm tashmë i përfaqësueses.

“Ne si ekip prej që kemi filluar këto grumbullimet, asnjëherë nuk kemi qenë të kompletuar. Fati po na e kthen shpinën dhe po na penalizon, pasi fondin e lojtarëve vendorë nuk e kemi shumë të madh për t’i mbuluar hapësirat që po na krijohen shkaku i lëndimeve. Këtë herë patëm shumë mungesa dhe përkundër kësaj ne rezistuam në fillim të ndeshjes, bazuar në përvojë. Por në një moment erdhi në pah rotacioni i madh i Danimarkës. Prej ditës së parë deri në të fundit ishim të pafat, edhe pse nuk janë arsyetime për këtë lojë të dobët që kemi treguar sepse është një rezultat i thellë që nuk është dashur të jetë. Duhet t’i lëmë prapa këto dhe të shikojmë përpara dhe çka duhet të përmirësojmë”, ka shtuar Hajrizi, që ka thënë se shpreson që në të ardhmen ekipi të freskohet me ndonjë lojtar të ri vendor. “Lutem që në grumbullimet e ardhshme të jemi të kompletuar. Çdo klub ka mungesë të talenteve dhe a është puna e dobët apo diçka tjetër, nuk e di. Ne duhet të fokusohemi te lojtarët e rinj vendorë, t’i përgatitim dhe të investojmë shumë në ta, sepse jemi në deficit të vendorëve. Shpresoj të vijë koha shumë shpejt ta kemi ndërrimin e gjeneratës me disa talente, që për momentin nuk po i shoh”.

Hajrizi ka thënë se para fillimit të këtyre parakualifikimeve shpresat ekzistonin për të kaluar në fazën e dytë.

“Kur e kemi parë grupin në fillim, kemi pasur shpresa për të kaluar, por edhe nuk ka qenë befasi që nuk kemi avancuar tutje”, pranoi Hajrizi.

Aktualisht në krye të Përfaqësueses A të Kosovës është Christos Marmarinos nga Greqia. Marmarinos ka marrë drejtimin e Kosovës në janar të vitit 2020 dhe është përzgjedhësi i tretë i huaj pas Damir Mullaomeroviqit dhe Brad Greenbergut. Nën drejtimin e Marmarinosit, Kosova ka zhvilluar dhjetë ndeshje zyrtare, duke regjistruar tri fitore dhe shtatë humbje.

Vetëm me Greenbergun, Kosova ka kaluar fazë kualifikimesh. Me Arben Krasniqin, Mulaomeroviqin dhe Marmarinosin nuk ka pasur kampanja të suksesshme, të paktën sa u takon rezultateve.