Sport

Kosova merr goditje para ndeshjes me Danimarkën, mungojnë edhe Tmushiq e Bunjaku

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të martën ka udhëtuar për në Danimarkë. Kosova të enjten luan me Danimarkën në Naestved, por do të jetë e hendikepuar. Përzgjedhësi Christos Marmarinos nuk do të mund të llogaritë në dy prej fundorëve kryesorë, ka njoftuar FBK-ja të martën.

Për shkak të lëndimeve, në ndeshjen ndaj Danimarkës do të mungojnë Valon Bunjaku e Mikaile Tmushiq. Ndërkohë me lëndime po përballen edhe Gëzim Morina e Meriton Ismaili. Erjon Kastrati nuk është grumbulluar fare për shkak të një shqetësimi fizik. Kështu, Kosova do të ketë mungesa të rëndësishme në ndeshjen e fundit të raundit të parë të parakualifikimeve për Eurobasket 2025.

Kosova ka pak gjasa që përmes pozitës së dytë të avancojë tutje. Në kuadër të Grupit C, Kosova ka humbur dy ndeshjet me Norvegjinë, ndërsa e ka mposhtur Danimarkën në shtëpi. Danimarka i ka edhe dy ndeshje dhe megjithatë vlerësohet favorite për vendin e parë, që aktualisht e mban Norvegjia me bilanc dy fitore e një humbje. Kosova, pra, ka një fitore e dy humbje, ndërsa Danimarka ka një fitore e një humbje. Fitoren e ka ndaj Norvegjisë.

Përzgjedhësi Marmarinos të martën ka publikuar listën përfundimtare. Sipas njoftimit, ai nuk ka përzgjedhur as Etnik Pecin. Dhe kështu Kosova në Danimarkë do t’i ketë 11 lojtarë në dispozicion.

“Ekipi i Kosovës të martën ka udhëtuar drejt Danimarkës, ndërsa është shpallur lista përfundimtare për sfidën ndaj danezëve. ‘Dardanët’ do të paraqiten me disa mungesa, por sidoqoftë angazhimi nuk do të mungojë për këtë sfidë. Valon Bunjaku dhe Mikaile Tmushiq mungojnë për shkak të lëndimit, ndërsa me lëndime po përballen edhe Gëzim Morina dhe Meriton Ismaili. Lista përfundimtare: Altin Morina, Amin Hot, Ardit Pepaj, Dardan Berisha, Drilon Hajrizi, Fisnik Rugova, Gëzim Morina, Meriton Ismaili, Muhamedali Janjeva, Rron Ukaj dhe Samir Zekiqi”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Kosova nuk ka në përbërje as ndonjë amerikan të natyralizuar. Dhe kjo e bën edhe më të vështirë rezultatin e favorshëm ndaj danezëve.