Në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) pranojnë se nuk janë aspak të kënaqur me rezultatet e arritura këtë vit me të gjitha gjeneratat në nivel përfaqësuesesh në të dyja konkurrencat. Në fakt, në FBK kanë pritur shumë më shumë nga pjesëmarrja nëpër divizione të ndryshme të FIBA-s. Kështu ka insistuar sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, të hënën për KOHËN. Zhgënjimin e fundit, FBK-ja e mori të dielën kur Përfaqësuesja U16 në konkurrencën e meshkujve mbeti pa medalje në Kampionatin Evropian të Divizionit C, që u mbajt në Prizren. Kosova U16 kishte synuar vendin e parë, por përfundoi e katërta. Në të vërtetë, kjo edhe është gjenerata prej të cilës është pritur triumfi në Divizionin C, në mënyrë që vitin tjetër të paraqitet në Divizionin B. Madje, kjo gjeneratë ka qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm në kampin nacional të FBK-së, të cilin e ka themeluar për ngritjen dhe zhvillimin e lojtarëve premtues. Vitin e shkuar, Kosova e pati fituar Divizionin C me Përfaqësuesen U16, sukses ky që nuk arriti të përsëritet edhe këtë vit, përkundër organizimit të këtij turneu në Kosovë.
“Në fakt, kemi pritur shumë më shumë prej të gjitha gjeneratave. Së fundi, pritjet ishin të mëdha nga U16 te meshkujt dhe njëra prej arsyeve kryesore ishte pse kemi kandiduar në FIBA për ta marrë organizimin e kësaj ngjarjeje në Kosovë. Pra, donim që këtë event ta organizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të triumfojmë në të”, ka pranuar Dushku. “Të parën e kemi realizuar. Pra, organizimin e mbajtur në Prizren, gjë që është konstatuar edhe nga FIBA. Por, nuk arritëm të triumfojmë dhe kështu mbetemi edhe një vit të garojmë në Divizionin C. Ne e donim triumfin këtë vit për ta siguruar një vend në Divizionin B prej vitit të ardhshëm”.
FBK-ja ka shtatë vjet që paraqitet në garat zyrtare të FIBA-s me gjenerata të ndryshme, por deri më tani ka vetëm dy triumfe. Vitin e shkuar me gjeneratën U16 dhe para tre vjetësh me gjeneratën U18, të dyja në konkurrencën e meshkujve dhe ngjarjet e organizuara në Kosovë, saktësisht Prishtinë. Gjenerata U18 e Kosovës do të paraqitet në Divizionin B të Kampionatit Evropian, i cili në fund të këtij muaji mbahet në Ploiesti të Rumanisë. Kosova është pjesë e Grupit B, së bashku me Gjeorgjinë, Holandën, Bosnjë e Hercegovinën, Bullgarinë e Norvegjinë. Ndërkohë, Përfaqësuesja U20 te meshkujt ka dy humbje në po aq ndeshje të luajtura deri më tani. Edhe Përfaqësuesja A në këtë konkurrencë nuk është se ka pasur rezultate të mira në rundin e parë parakualifikues të Eurobasketit 2025. Ka përfunduar e fundit në grup, të cilin e përbënin edhe Norvegjia e Danimarka me një fitore e tri humbje. Te femrat, po ashtu kanë munguar rezultatet. Përfaqësuesja A doli e parafundit (katërta) në Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla që javë më parë u mbajt në Nikozi të Qipros. Pati vetëm një fitore dhe atë ndaj Andorrës, përpara se të mposhtet nga Malta, Norvegjia e Qipro. Vitin e shkuar, basketbollistet e Kosovës patën debutuar në këtë ngjarje me medaljen e bronztë. Përfaqësuesja U20 e Kosovës në basketboll (vajzat) ka përfunduar e 15-a prej 18 përfaqësueseve sa ishin në Kampionatin Evropian të Divizionit B që përfundoi në Shkup. Prapa Kosovës kanë mbetur vetëm Armenia, Kroacia e Gjeorgjia. Kosova kishte shënuar fitore vetëm edhe ndaj Kroacisë. Madje ajo ishte vlerësuar fitorja më e madhe që kanë arritur përfaqësueset e basketbollit në konkurrencë të femrave deri më tani. Megjithatë Kroacia mbeti e parafundit, e 17-a. Shqipëria ka përfunduar më lartë se Kosova, në vendin e 14-të. Basketbollistet e Kosovës kanë pësuar nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania, Islanda e Sllovakia. Në FBK tashmë kanë paralajmëruar se do të diskutojnë për të gjitha rezultatet e arritura dhe nuk përjashtohet mundësia e ndryshimeve drastike për t’u përmirësuar për garat e ardhshme.
“Kemi pritur shumë duke filluar nga ekipi A i meshkujve dhe i femrave. Jemi duke i grumbulluar të gjitha raportet e të gjithë përzgjedhësve për të gjitha garat që tashmë kanë përfunduar. Besoj se deri në fund të javës do t’i kemi të gjitha. Javën e ardhshme bordi i FBK-së do të mblidhet për të diskutuar për paraqitjet e deritanishme të Përfaqësueseve të Kosovës”, është shprehur Dushku.
E zhgënjimin në rezultatet e të gjitha gjeneratave e ka konfirmuar edhe ish-basketbollisti Ismet Ferati. Madje, ai ka thënë se këto rezultate kanë njoftuare se gjendja në basketbollin e Kosovës nuk është aspak e mirë. E po ashtu, nuk është duke u punuar mirë as me të rinjtë. Ferati shpreson që rezultatet e kësaj vere mos të përsëriten në të ardhmen.
“Rezultatet e fundit të përfaqësueseve të Kosovës na kanë bërë të ditur se gjendja në basketbollin e Kosovës nuk është e mirë dhe se nuk është duke u punuar mirë me të rinjtë. Këtë verë rezultatet janë vërtet zhgënjyese sepse kemi humbur nga disa kundërshtarë që viteve të kaluara i kemi mposhtur, ndërsa edhe shumë humbje që i kemi përjetuar kanë qenë me diferencë shumë të madhe. Kjo vetëm tregon që puna me të rinjtë nëpër klube dhe shkollat e basketbollit është shumë e dobët, trajnerët që punojnë aty janë me kualitete të dyshimta, gjithashtu në reprezentacione për të pasur një rezultat më serioz duhet se paku 40 ditë të përbashkëta të stërvitjeve”, ka thënë Ferati. “Çka është më alarmante është se çdo gjeneratë që po vjen është më e dobët se ajo paraprake. Gabimi më i madh është nëse këtë vit lejohet që të luajnë pesë lojtarë të huaj në ligë, sepse siç e pamë në rastin kundër Danimarkës, vetëm Përfaqësuesja pëson sepse lojtarët vendorë nuk po kanë mundësi të luajnë dhe të përparojnë. Shpresoj që rezultatet e kësaj vere të mos përsëriten në të ardhmen, sepse ishin shumë zhgënjyese”.