Sport

Tahiri fiton edhe një normë olimpike, por atë duhet ta konfirmojë

Me dy rezultate të arritura të dielën në Tarvisio të Italisë, skitari më i mirë i Kosovës, Albin Tahiri, ka siguruar edhe një normë olimpike.

Pas normës në sllallom dhe sllallom të madh, Tahiri e ka normën edhe për kombinim alpin për Lojërat Olimpike Dimërore, që vitin e ardhshëm mbahen në Pekin.

Tahiri sërish ishte larg zonës së medaljeve, por arriti rezultate që ia sigurojnë normën në kombinim alpin, që megjithatë i duhet ta konfirmojë.

Në garën e parë që Federata Ndërkombëtare e Skitarisë (FIS) e ka evidentuar si kampionat shtetëror të Sllovenisë, Tahiri u rendit i 28-ti. Pas dy lëshimeve, kishte kohë 1:49.76 minuta. Koha e tij ishte për 6.51 sekonda më e ngadaltë se e fituesit, sllovenit Stefan Hadalin. Për këtë rezultat i takuan 133.44 pikë të FIS-it.

Tahiri, 32-vjeçar, jeton në Slloveni, ku edhe e zhvillon karrierën.

Në garën e dytë të ditës në Tarvisio të Italisë, të evidentuar nga FIS si kampionati shtetëror i Sllovenisë për juniorë, Tahiri u rendit i 36-ti. Kishte kohë prej 1:50.54 pas dy lëshimeve. Ishte për 6.85 sekonda më i ngadaltë se fituesi Miha Hrobat. I takuan 137.80 pikë të FIS-it.

“Sot i kam pasur dy gara në kombinim alpin. Ndonëse moti ishte i vështirë, ia dola që të dyja garat t’i përfundoj nën kriterin olimpik. Sipas rregullave të FIS-it, më është dashur t’i kem dy rezultate nën 160 pikë të FIS-it për t’u kualifikuar për kombinim alpin, që do të thotë se kam fituar normën edhe në një disiplinë”, ka thënë Tahiri për KOHËN.

“Gjëja e vetme është se duhet të fitoj pikë olimpike edhe në lëshim, në mënyrë që të startoj në pjesën e lëshimit në kombinim alpin. Kjo bëhet për arsye të sigurisë. Për ta përmbledhur, kam fituar normën olimpike në kombinim alpin, por më duhet ta konfirmoj në lëshim”, ka shtuar Tahiri.

Ai e ka prezantuar Kosovën në Olimpiadën e kaluar dimërore, e po ashtu në disa botërorë. Ka rezultate bindshëm më të mira prej skitarëve që garojnë për Kosovën. Por, është larg prej rezultateve që e fusin në garë për medalje në ndonjë ngjarje serioze.