Media të ndryshme të regjionit kanë shkruar për rezultatin më të mirë të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore. Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata Skitare e Kosovës kanë shkruar për momentin historik.
Është skitari Albin Tahiri që të enjten u rendit i 15-i në Lojërat Olimpike Dimërore, në disiplinën e kombinimit në skijim alpin. Kjo disiplinë ka gjasë të hiqet plotësisht nga programi olimpik. Ndër të tjera për shkak se jo shumë skitarë e zgjedhin për të garuar.
Të enjten në LOD vendosën të garojnë vetëm 27 skitarë. Kjo nënkuptonte se klasifikimi në mesin e 30 më të mirëve, që ishte synim i hershëm i Albin Tahirit, do të realizohej.
Tre skitarë nuk e përfunduan me sukses lëshimin e parë. Shtatë të tjerë nuk e përfunduan lëshimin e dytë. Dhe kështu me plasman mbetën vetëm 17 skitarë. Tahiri u rendit i 15-i. Koha e tij ishte 2:48.29 minuta. I parafundit ishte kinezi Yangming Zhang, me kohë prej 2:49.72 minuta. Ndërsa kinezi tjetër, Mingu Xu, ishte i fundit, me kohë prej 3:00.40 minuta.
Një pozitë më mirë se Tahiri ishte ukrainasi Ivan Kovbasnyuk. Ai kishte kohë prej 2:44.43 sekonda. Për 13 sekonda ishte më i ngadaltë se fituesi. Ndërsa Tahiri ishte për 16.86 sekonda më i ngadaltë se fituesi.
Garën e fitoi austriaku Johannes Strolz, me kohë prej 2:31.43 minuta. I dyti ishte norvegjezi Aleksander Aamodt Kilde, ndërsa i treti kanadezi James Crawford. Nuk ishte asnjë amerikan pjesë e garës.
Kombinimi alpin përbëhet nga lëshimi dhe sllallomi. Pra një stil i shpejtësisë dhe një teknik. Jo shumë skitarë të nivelit më të lartë janë të mirë edhe në disiplinat e shpejtësisë edhe në ato teknike. Dhe për këtë kombinimi alpin po vlerësohet se është në rrezik si disiplinë olimpike.
Në Lojërat e kaluara Olimpike, Tahiri ishte i 37-i në kombinim. Ishte i fundit prej atyre që e përfunduan garën. Në Pekin, Tahiri tashmë ka garuar edhe në lëshim. U rendit i 35-ti, ndërsa e la prapa vetëm një kinez. Ai do të garojë edhe në sllallom dhe sllallom të madh.
“Albin Tahiri sot e kaloi pritshmërinë tonë. Ai arriti rezultatin më të mirë në histori të Kosovës në Lojëra Olimpike Dimërore, duke u renditur në top-15 skitarët më të mirë në botë dhe duke na bërë krenarë të gjithëve”, ka shkruar kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi.
“Rezultat historik për FSK-në dhe Kosovën”, ka thënë Milaim Kelmendi, kryetar i Federatës Skitare të Kosovës.
Edhe vetë Tahiri, që jeton në Slloveni, e ka vlerësuar rezultatin historik.
““Jam shumë krenar me rezultatin më të mirë që është historik për Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore. Është diçka e pabesueshme për mua pasi nuk e kam imagjinuar kurrë të jem në top-15. Qëllimi ishte hyrja në top-30, por sot bëra diçka më shumë. Jam tepër krenar”, është shprehur 32-vjeçari. “Pjesa e vështirë ishte lëshimi sërish sepse është një disiplinë shumë e vështirë. Por, mendoj se nuk kam bërë shumë gabime dhe për këtë arsye isha në pozitë të mirë në sllallom, ku nuk e dija se çka të prisja pasi nuk kisha bërë shumë stërvitje, por ia dola mbanë. Është e mahnitshme të jem në top-15 dhe nuk kam aspak presion për dy garat e tjera. Do ta shijojë sllallomin dhe sllallomin e madh”.
Tahiri, tani 32-vjeçar, ishte i vetmi garues i Kosovës në LOD të vitit 2018. Pozitën më të mirë e kishte pikërisht në kombinim, ndonëse i fundit (37). Në sllallom ishte i 39-i, në sllallom të madh i 56-i, në Super-G i 47-i e në lëshim i 50-i.
Lojërat e Pekinit dallojnë shumë me ato të PyeongChangut, për shkak se po zhvillohen në pandemi. Pos Tahirit, në Pekin garoi edhe Kiana Kryeziu, 17-vjeçare.