Skitari i Kosovës, Albin Tahiri është shprehur tejet i kënaqur me rezultatin që e arriti të enjten në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022” ku garoi në disiplinën e kombinimit alpin.
Tahiri përfundoi i 15-ti në garën ku u paraqitën 27 skitarë por vetëm 17 prej tyre e përfunduan atë. Tahiri me këtë ka regjistruar rezultatin më të mirë në histori të Kosovës në Olimpiadën Dimërore. Ai ka thënë se ndihet krenar me këtë arritje, ndonëse nuk ka besuar aspak se do të dalë i 15-ti.
“Jam shumë krenar me rezultatin më të mirë që është historik për Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore. Është diçka e pabesueshme për mua pasi nuk e kam imagjinuar kurrë të jem në top-15. Qëllimi ishte hyrja në top-30 por sot bëra diçka më shumë. Jam tepër krenar”, është shprehur Tahiri. “Pjesa e vështirë ishte lëshimi sërish sepse është një disiplinë shumë e vështirë. Por, mendoj se nuk kam bërë shumë gabime dhe për këtë arsye isha në pozitë të mirë në sllallom, ku nuk e dija se çka të prisja pasi nuk kisha bërë shumë stërvitje por ia dola mbanë. Është e mahnitshme të jem në top-15 dhe nuk kam aspak presion për dy garat tjera. Do ta shijojë sllallomin dhe sllallomin e madh”.