Ishte 12 dhjetori i vitit 2009 kur Albin Tahiri e zhvilloi garën e parë për Kosovën. Garën e fundit duke përfaqësuar Kosovën e zhvilloi më 16 shkurt të vitit 2022. Së fundi garoi në skenën më të madhe – në Lojërat Olimpike Dimërore. Skitari e mbylli karrierën me vendin e 37-të në disiplinën e sllallomit në Lojërat Olimpike në Pekin.
Tahiri skijon ende, por vetëm për kënaqësi. Nuk ushtron më. Është i fokusuar në karrierën e stomatologut dhe jeton në Slloveni, ku ka jetuar gjithë jetën.
Në një intervistë për KOHËN, Tahiri ka treguar se sa krenar është që ka përfaqësuar Kosovën për mbi një dekadë. Që është paraqitur në ngjarjet më të mëdha sportive dhe për kontributin që ka dhënë për imazhin e Kosovës dhe për zhvillimin e skijimit kosovar.
“Kur kam vendosur të skijoj për Kosovën nuk e kam ditur se çka të pres, se çka do të arrijmë. Vendimi u mor në një moment kur nuk dihej se si do të zhvillohej skijimi në Kosovë. Në fakt, dihej pak për zhvillimin e gjithë sportit në Kosovë. Me shumë vështirësi e durim, me njerëzit nga Federata e Skijimit e Kosovës dhe Komiteti Olimpik, e sollëm skijimin në nivel serioz botëror”, ka thënë Tahiri të dielën.
Ai ka treguar se kur nisi të garojë për Kosovën nuk kishte asnjë shenjë të Kosovës në rrobat e tij. Të gjitha ishin me shenja të Sllovenisë.
“Sot kur i shoh skitarët e rinj se çfarë kushtesh kanë, që janë edhe meritë e imja, ndihem shumë krenar. Kur nisa të garoj për Kosovën, nuk e kam ditur se deri ku mund të arrij. Sot, kur e shikoj se çka kemi arritur, ku kemi arritur, më duket e pabesueshme. Isha dy herë në Lojëra Olimpike, tri herë në Kampionate Botërore dhe në shumë gara të tjera. Dhe nuk mund të them asgjë tjetër pos që jam shumë krenar dhe i lumtur për këtë mundësi që kisha, të skijoj për Kosovën”, ka shtuar Tahiri.
Vendi i 32-të në sllallom në vitin 2021 është suksesi më i madh i Tahirit në Kampionate Botërore. Më i suksesshëm ishte në Lojëra Olimpike Dimërore. Në vitin 2022 ishte i 15-ti në kombinim alpin. Vështirë se ndonjë skitar i Kosovës do të renditet së shpejti në vendin e 15-të në Lojëra Olimpike.
Sfidat
Në “Pekini 2022”, Tahiri kishte edhe një vend të 30-të në sllallom të madh dhe vendin e 35-të në lëshim.
Në Lojëra Olimpike Dimërore debutoi në vitin 2018 në Pyeongchang të Koresë së Jugut. Kishte përfunduar garat në pesë disiplina të skijimit alpin. Vendin më të mirë e kishte në kombinim alpin, ku u rendit i 37-të. Në sllallom ishte i 39-ti.
“Për secilin skitar Lojërat Olimpike janë më të rëndësishmet. Kështu edhe për mua. Jam i pari skitar që kam parakaluar me flamur të Kosovës në Lojërat Olimpike. Ishte përvojë e shkëlqyer ajo në Pyeongchang të Koresë së Jugut. Moment i veçantë ishte edhe Kampionati Botëror 2017 në St. Moritz në Zvicër. Ndoshta ishte përvojë edhe më e mirë, pasi ishte gara e parë ndërkombëtare për ne më të mirët në botë. Nuk do ta harroj kurrë atë moment”, ka theksuar Tahiri.
Ai thotë se për kushtet që kishin, sigurimi i normës olimpike ishte rezultat kulmor. Thotë se edhe sot sigurimi i normës olimpike për Kosovën është sukses kulmor.
Tahiri është përballur me vështirësi që skitarët e tjerë të nivelit të lartë nuk i kanë pasur.
“Unë asnjëherë nuk kam pasur person për servisimin e skive. Përgatitjen kondicionale e kam bërë vetë. Sinqerisht edhe trajnerët nga Kosova nuk kanë pasur mjaftueshëm përvojë për mua, sidomos në disiplinat e shpejta. Dhe përnjëherë ndodhi që isha i 15-ti në Pekin në kombinim, për shembull. Në fakt, të gjitha rezultatet ishin shumë të mira, por ai plasman ishte i veçantë. As vetë nuk e kam pritur atë rezultat të mirë”, ka thënë 34-vjeçari.
Tahiri vlerëson se do të jetë vështirë që ndonjë skitar i Kosovës së shpejti të arrijë rezultatet që kishte ai.
“I gjithë rrëfimi për përfaqësimin tim është sukses”, thotë Tahiri.

Komentet negative
Tahiri thekson se thuajse të gjithë në Kosovë ishin krenarë që morën një skitar të nivelit të tij. Vlerëson se me njohuritë e tij ka ndihmuar shumë sportin e skijimit në Kosovë, që të zhvillohet në gjitha drejtimet.
“Natyrisht që ka pasur edhe komente të këqija, se pse kam ardhur nga një vend tjetër që të garoj për Kosovën dhe të zë vendin e skitarëve nga Kosova. Por nuk më mbetet hatri për këtë dhe në fakt gjërat e tilla asnjëherë nuk i kam marrë seriozisht. Babai im ishte i lindur në Kosovë dhe unë kam garuar për Kosovën me zemër, dhe vetëm kjo ka rëndësi”, thotë Albin Tahiri.
Ai është i lindur dhe i rritur në Slloveni. Pra, kalimi te Kosova e ka edhe anën tjetër të rrëfimit – largimin nga Sllovenia.
“Sllovenët nuk e kanë pranuar këtë seriozisht nga fillimi. Por pas gjithë asaj që kemi arritur dhe rezultateve të mira, shumë prej sllovenëve u ka ardhur keq që më kanë liruar të largohem nga Sllovenia. Kam mundur të skijoj edhe për Slloveninë, nëse sllovenët do të dëshironin të më mbanin atëherë. Në fund të fundit, mendoj se sllovenët janë krenarë me mua. Të paktën kështu thonë”.
I pyetur se çka duhet të ndryshojë që skijimi në Kosovë të kalojë në nivel më të lartë, Tahiri ka thënë se ndoshta nuk do të ishte keq që të merrej ndonjë trajner i huaj, “derisa trajnerët tanë të mësohen dhe të fitojnë përvojë”. Ai, megjithatë ,vlerëson rritjen e skijimit në Kosovë, kur e krahason me kohën që ishte 15 vjet më parë. Po ashtu, është optimist për rritje të mëtejme.****
Ka disa muaj që për Kosovën garon edhe kërcyesja me ski nga Austria, Sophie Sorschag. Ajo më parë ishte reprezentuese e Austrisë. Aktualisht rezultatet e Sorschagut nuk janë më të mirat, por pritjet e saj janë të mëdha.
“Kam përcjellë situatë rreth Sorschagut nga fillimi. Kjo nuk është aspak gjë e keqe, vetëm mund t’i shërbejë sportit të Kosovës. Shikoni se çka bën Lara Colturi për Shqipërinë, thuajse në secilën garë të kupës së botës në skijim është në mesin e 30 më të mirave. Së fundi në Austri ishte më e shpejta në lëshimin e dytë. Nuk ka reklamë më të mirë për sportin, nuk ka lidhje që nuk është nga Shqipëria apo Kosova. Në futboll dhe në sportet tjera ekipore ka kohë që shikohet vetëm kualiteti i sportitit. Nuk ka lidhje prej nga ka ardhur apo ku është i lindur sportisti”, thotë Tahiri.
Pas Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin në vitin 2022, Tahiri vendosi të mos garoi më. Tregon se ishte vendimi më i vështirë në jetë. Po të dëgjonte zemrën, Albini do të garonte ende.
“Por fillova me punë, nuk kisha kohë të mjaftueshme dhe po ashtu forcë që të ushtroj si duhet. Për këtë vendosa që është fundi. Më duhet që energjinë ta shpenzojë edhe në gjëra tjera në jetë”.
Tahiri tani punon si stomatolog. Aktualisht po specializon për kirurgjinë orale në qendrën klinike në Lubjanë. Thotë se këtë e ka prioritet dhe se po i shkon mirë. Skijon vetëm me prindër dhe shokë, por nuk stërvitet më. Me synim për ta mbajtur formën fizike, merret edhe me sporte tjera.
Shumë media të fuqishme ndërkombëtare kishin shkruar për stomatologun që prezantonte Kosovën në Lojërat Olimpike.
“Më njohin si skitar të Kosovës dhe si stomatolog. Në fakt nuk ka shumë sportistë profesionistë që ia dolën ta përfundojnë mjekësinë gjatë karrierës. Kështu që mund të jem krenar për veten dhe për gjithë atë që kam bërë për Kosovën, që bota të di më shumë për ne. Shpresoj që edhe njerëzit në Kosovë të shohin në këtë situatë kështu. Që janë krenarë me mua dhe që kam realizuar pritshmëritë e Kosovës ndaj meje”, ka thënë Albin Tahiri.
Në komunitetin e skijimit kosovar kishte të tillë që e shihnin me rezervë paraqitjen e Tahirit për Kosovën. Mbetet të shihet nëse rezultatet e tij do të arrihen së shpejti dhe nëse skeptikët kishin të drejtë. Por vendi i 15-të në Lojërat Olimpike Dimërore vështirë se do të arrihet së shpejti nga ndonjë skitar i Kosovës.