Skitari Albin Tahiri e ka kompletuar edhe garën e tretë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Përfaqësuesi i Kosovës të dielën ka garuar në sllallom të madh. Është renditur i 30-ti.
Në krahasim me Lojërat e kaluara Dimërore, Tahiri ka rezultat më të mirë për 24 pozita në këtë disiplinë. Në “PyeongChang 2018”, në sllallom të madh, ai ishte i 56-ti.
Në të vërtetë, synim i Tahirit ishte hyrja në 30 më të mirët. Këtë e ka arritur dhe gara e tij e së dielës është vlerësuar e suksesshme.
Tahiri 32-vjeçar, në kombinim alpin ishte i 15-ti, por la vetëm dy kinezë prapa, prej atyre që përfunduan garën me sukses. Në lëshim ishte i 35-ti, ndërsa e la vetëm një kinez prapa, prej atyre që përfunduan garën.
Më ndryshe ishte në sllallom të madh. Tahiri i ka lënë prapa 16 skitarë që kompletuan garën. Plot 43 skitarë nuk e përfunduan garën me sukses, duke përfshirë edhe Denni Xhepan e Shqipërisë. Ai nuk e përfundoi lëshimin e parë.
Tahiri, që jeton në Slloveni, pati kohë të përgjithshme prej 2:29.85 minutash. Për 20.50 sekonda ishte më i ngadaltë se fituesi i garës së sllallomit të madh, zvicerani Marco Odermatt. Koha e Odermattit ishte 2:09.35 minuta. Slloveni Zhan Kranjec ishte i dyti me kohë prej 2:09.54 minutash. Ndërsa francezi Mathieu Faivre fitoi të bronztën olimpike me kohë prej 2:10.69 minutash.
Prej të ranguarit në pozitën e 25-të e tutje, kishin diferencë prej më shumë se dhjetë sekonda me fituesin.
“Gara ishte shumë e vështirë për shkak të motit. U mundova shumë që të qëndroj në shteg. Në lëshimin e parë bëra një gabim të madh, por arrita në fund. Në lëshimin e dytë u ndjeva vërtet mirë. Ishte shumë vështirë, por të jem në top-30 më bën shumë të lumtur”, ka thënë Albin Tahiri pas garës. Ai ka treguar se u lëshua i 73-ti në një shteg të vështirë.
“Sot ishte gara shumë e fortë. Me më shumë fat Albini do të arrinte deri në pozitën e 25-të. Por i ka pasur disa gabime. Terreni ishte shumë i vështirë, edhe koha e papërshtatshme. Por e mira është që morën vendin e 30-të. Kanë garuar skitarët ndër më të mirët në botë”, ka thënë trajneri Agim Pupovci.
Tahirin e pret edhe një garë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Më 16 shkurt garon në disiplinën e sllallomit.