Sulmuesi i Tottenhamit, Son Heung-min, në mënyrë të çuditshme është bërë një vit më i ri. Kjo ndodhi pasi Koreja e Jugut ndryshoi metodat e saj tradicionale të numërimit të moshës.
Futbollisti i njohur i ekipit nga Premier League ka kaluar pjesën më të madhe të verës duke u përballur me një sërë thashethemesh që e lidhin atë me një kalim në Ligën e Arabisë Saudite që po rritet me shpejtësi. Megjithatë, pas hedhjes poshtë të raportimeve të tilla Son do të fokusohet plotësisht në edicionin 2023/24 me Tottenhamin dhe do të nxitet nga lajmet për ndryshimin e ligjit në Kore të Jugut.
Ligji i ri u miratua fillimisht në dhjetor të vitit të shkuar, pas një fushate të fuqishme nga presidenti i sapozgjedhur korean, Yoon Suk Yeol. Por ligji hyri në fuqi vetëm të enjten.
Metoda origjinale për të vlerësuar moshën e një koreani përfshinte periudhën e shtatzënisë për të gjitha foshnjat, që do të thotë se të gjithë fëmijët llogariteshin si një vjeç në lindje. Përveç kësaj, çdo korean do të bëhej një vit më i vjetër më 1 janar - edhe ata që kishin lindur në dhjetor. Tani vendi do t'u përmbahet metodave ndërkombëtare të caktimit të moshës, me foshnjat që numërohen me zero muaj në lindje përpara se t'u shtohet një vit tjetër moshës së tyre për çdo vit.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Son, i cili ka lindur më 8 korrik 1992, është prezantuar gjithmonë me metodën ndërkombëtare dhe do të mbetet 30-vjeçar. Në Korenë e Jugut është konsideruar një vit më i vjetër. Ndryshimet gjithashtu nuk do të ndikojnë në regjistrimin e Tottenhamit për lojtarin, me klubin që i duhet vetëm të sigurojë një datë të saktë të lindjes.
Prej ndryshimit të ligjit në Korenë e Jugut do të preken edhe Kim Min-jae i Napolit, Kang-In Lee i Mallorcas dhe Hyun-Gyu Oh i Celticut.
Mbrojtësi Kim sipas të gjitha gjasave do t’i bashkohet Bayernit muajin e ardhshëm. Duke mos u fokusuar te ndryshimi i ligjit, sulmuesi Son ka folur për të ardhmen e tij duke konfirmuar se nuk do të largohet nga Tottenhami. Së fundmi ishte raportuar se Al-Ittihad kishte ofruar 60 milionë euro për reprezentuesin e Koresë së Jugut. Megjithatë, Son hodhi poshtë mundësinë për një lëvizje në Arabinë Saudite dhe pranoi se “paratë nuk kanë rëndësi” për të.
“Kam shumë gjëra për të bërë në Premier League dhe po përgatitem për edicionin e ri me Tottenhamin”, tha Son. “Paratë nuk kanë rëndësi për mua tani dhe krenaria e të luajturit futboll në ligën time të preferuar është e rëndësishme”.
Son në vitin 2008 u largua nga Koreja e Jugut për t’u zhvendosur në Evropë, ku luajti fillimisht për të rinjtë e Hamburgut, përpara se të debutonte me ekipin e parë gjerman në vitin 2010. Ai është pjesë e Tottenhamit prej vitit 2015, ndërsa iu bashkua nga Bayer Leverkuseni.
Edicionin e fundit Son shënoi 14 gola dhe bëri 6 asistime në 47 ndeshje të luajtura për Tottenhamin në të gjitha garat.