Suedia është fituese e Kampionatit Evropian në hendboll. Në finalen e së dielës mbrëma në Budapest, Suedia fitoi ndaj Spanjës me rezultatin 27:26. Madje golin e fitores suedezët e shënuan në sekondën e fundit të ndeshjes.
Ishte Niclas Ekberg që realizoi penallti për titullin e kampionit të Suedisë. Ndeshja finale ishte shumë e fortë, e barabartë dhe dramatike. U vendos në aksionin e fundit. Në fakt suedezët krijuan epërsi prej dy golash në minutat e fundit, por Spanja u kthye. Madje spanjollët kishin aksion për të kaluar në epërsi, por nuk e realizuan.
U ankuan në vendimin e gjyqtarëve për të mos dhënë faul. Në fund Suedia fitoi penallti të cilën e realizoi Ekberg. Ekberg e Oscar Bergendahl ishin më efikasët te Suedia me nga pesë gola. Portieri Andreas Palicka i kishte 11 pritje. Te Spanja më efikasët ishin Adrian Figueras dhe Aleix Gomez Abello me nga gjashtë gola.
Medaljen e bronztë e ka fituar Danimarka që e mposhti për vend të tretë Francën. Danezët fituan 35:32 pas kohës shtesë. Suedia në kualifikime ishte në grup me Kosovën dhe shënoi dy fitore të thella. Për Suedinë është titulli i pestë evropian dhe i pari që nga viti 2002. Suedia është përfaqësuesja më e suksesshme e kampionateve evropiane. Franca i ka tre tituj, ndërsa Spanja, Danimarka e Gjermania nga dy.