Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sorschag debuton me Kosovën, kualifikohet në finalen e Kupës Botërore

Garuesja e kërcimeve me ski, Sophie Sorschag ka debutuar për Kosovën. Sorschag, të premten mbrëma u paraqit në garën për Kupën e Botës në Lillehammer të Norvegjisë.

Në debutimin e saj për Kosovën, Sorschag është treguar e suksesshme pasi ka arritur të kualifikohet në finalen e Kupës së Botës. Sorschag u rendit e 31-ta nga 58 garuese dhe në finalen që do të mbahet të shtunën, synon pozitë më të mirë. Kjo garë nis prej orës 12:00.

Sorschag këtë vit është pajisur me pasaportën e Kosovës dhe kjo është gara e saj e parë pas një mungese prej gati dy vjetësh për shkak të lëndimit.

“Sot e kam bërë kërcimin e parë me Kosovën në kërcimet me ski. Kam kaluar kualifikimet dhe jam shumë e motivuar për ta përfaqësuar Kosovën në garën e nesërme”, ka thënë Sorschag në një video të publikuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Garat e kërcimeve me ski, si ato të skijimit alpin, organizohen në formë të Kupave Botërore. Kupat e Botës janë seri garash elitare dhe nuk kanë të bëjnë me Kampionat Botëror.