Garuesja e kërcimeve me ski, Sophie Sorschag, të hënën ka marr lejen për të garuar për Kosovën. Kështu ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës.
Sorschag në fillim të vitit vendosi t’i bashkohej Kosovës, pasi më herët kishte vendosur të largohet nga përfaqësuesja e Austrisë. Ajo kishte pasur telashe me federatën austriake dhe vendosi të përfaqësojë një vend tjetër. Në fund zgjodhi Kosovën.
Sorschag vlerësohet garuese shumë cilësore, ndërsa tashmë llogaritet shpresë e madhe e Kosovës për medalje në Lojërat Olimpike Dimërore. Deri më tani Kosova nuk u është afruar medaljeve në Lojërat Olimpike Dimërore.
Sorschag 24-vjeçare ka pritur lejen e Federatës Ndërkombëtare të Skijimit për të fituar të drejtën e paraqitjes me Kosovën. Leja ka vonuar dhjetë muaj dhe më në fund erdhi të hënën, sipas KOK-ut.
Sipas KOK-ut është dashur punë e gjatë me insistime e kërkesa nga drejtues të KOK-ut dhe federatës kosovare të skijimit që FIS-i të zyrtarizojë kalimin e Sorschagut te Kosova. Ajo në pranverë ishte pajisur me pasaportë të Kosovës dhe tashmë nuk ka pengesa që ta prezantojë vendin në ngjarjet ndërkombëtare.
Sorschag me Austrinë ishte kampione e botës në konkurrencë ekipore, në vitin 2021. Mori pjesë edhe në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022, por pa ndonjë sukses.
Edhe
Pas Sorschagut, Kosova synon t’i afrojë edhe katër garuese në kërcime me ski
Angazhimi i sportistëve cilësorë nga vende të tjera tashmë është trend. Për shembull Shqipëria ka angazhuar skitaren italiane Sara Colturi, që vlerësohet me potencial të jashtëzakonshëm. Shqipëria ka në përbërje edhe një gjimnast rus, që ka fituar medalje me peshë, e po ashtu mundës nga Çeçenia. Njëri prej tyre, Zelimkhan Abakharov, ka fituar titullin e botës në Beograd. Është suksesi më i madh që Shqipëria ka pasur deri më tani.
Abakharov vlerësohet shpresë e madhe e Shqipërisë për medaljen e parë olimpike.
Kosova i ka tri të arta olimpike me xhudistet Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi. Tani synon medaljen olimpike dimërore me austriaken Sophie Sorschag.