Garuesja e kërcimeve me ski, Sophie Sorschag, prej 1 deri më 3 dhjetor do të paraqitet për herë të parë për Kosovën në një ngjarje ndërkombëtare . Austriakja Sorschag do të debutojë në Norvegji në garën e Kupës së Botës.
Por Kosova në të ardhmen mund të ketë më shumë garuese të kërcimeve me ski, sport ky që nuk është fare i zhvilluar në vend.
Federata Skitare e Kosovës pret t’u afrojë edhe katër garuese të kërcimeve me ski.
Kryetari i FSK-së, Milaim Kelmendi, ka thënë se janë në proces të bisedimeve me tri garuese të reja nga Sllovenia dhe me një shqiptare që po ashtu jeton në Slloveni. Katër garueset e reja janë pjesë e një klubi slloven.
“Jemi duke biseduar të bindim edhe katër garuese të reja të kërcimeve me ski, tri sllovene dhe një shqiptare. Janë të gjitha në një klub dhe janë të moshave të reja, por perspektive për të ardhmen. Deri në korrik besoj se do të arrijmë marrëveshje dhe t’i kemi për ngjarje të mëdha edhe katër garuese tjera krahas Sophie Sorchagut”, ka thënë Kelmendi të hënën për KOHËN.
Në Kosovë garat e kërcimeve me ski nuk janë fare të zhvilluara. Deri më tani Kosova nuk ka pasur garuese në këtë disiplinë atraktive.
Kelmendi thotë se me suksese do të provojnë ta bindin shtetin të investojë në këtë disiplinë atraktive.
“Realisht e kemi kthyer fokusin në këtë disiplinë për shkak se në krejt botën janë 500 garues. Me një punë të mirë dhe nëse na përcjell shteti, kemi mundësi të vijmë shpejtë deri te medalja olimpike apo botërore. Dhe, nëse marrim ndonjë medalje, mundësia është e madhe ta bindim shtetin të investoj në ndonjë hapësirë për ta shtrirë këtë disiplinë edhe në Kosovë”, ka theksuar Kelmendi.
Kosova deri më tani nuk u është afruar medaljeve në Lojërat Olimpike Dimërore. Sorschag vlerësohet garuese cilësore dhe tashmë llogaritet shpresë e madhe e Kosovës për medalje në Lojërat e ardhshme Olimpike Dimërore.
Sorschag në fillim të këtij viti vendosi t’i bashkohej Kosovës, pasi më herët kishte marrë vendim për t’u larguar nga përfaqësuesja e Austrisë. Ajo zgjodhi Kosovën pas telasheve që i kishte pasur me federatën austriake. 25-vjeçarja ka marrë tashmë lejen nga Federata Ndërkombëtare e Skijimit për t’u paraqitur me Kosovën.
Sorschag vlerësohet sportistja më cilësore që Kosova ka natyralizuar deri më tani.