Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sorschag mezi pret ta përfaqësojë Kosovën në kërcimet me ski

Garuesja e kërcimeve me ski, Sophie Sorschag, me padurim po pret të garojë me flamurin e Kosovës. Sorschag në fillim të muajit të ardhshëm do të debutojë për Kosovën, pasi në fillim të kësaj jave ka marrë lejen për të garuar për Kosovën. Prej datës 1 deri më 3 dhjetor, Sorschag do ta përfaqësojë Kosovën në Kupën e Botës, garë kjo që do të mbahet në Lilehammer të Norvegjisë. Kështu ka njoftuar të mërkurën Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK). Vetë Sorschag në një prononcim të shkurtër ka insistuar se është gati për të garuar për Kosovën dhe me padurim po e pret debutimin e saj muajin tjetër.

“Mezi po pres të fluturoj për Kosovën në të gjithë botën”, është shprehur shkurt Sorschag

Sorschag vlerësohet garuese tejet cilësore dhe tashmë llogaritet shpresë e madhe e Kosovës për medalje në Lojërat Olimpike Dimërore. Kosova deri më tani nuk u është afruar medaljeve në Lojërat Olimpike Dimërore. Sorschag në fillim të këtij viti vendosi t’i bashkohej Kosovës, pasi më herët kishte marrë vendim për t’u larguar nga përfaqësuesja e Austrisë. Ajo zgjodhi Kosovën edhe pse kishte opsione të tjera pas telasheve që i kishte pasur me federatën austriake. 24-vjeçarja ka qenë në pritje të lejes nga Federata Ndërkombëtare e Skijimit për t’u paraqitur me Kosovën, të cilën e mori pas dhjetë muajve. Në disiplinën e kërcimeve me ski, Sorschag u shpall kampione e botës në garat ekipore me Austrinë në vitin 2021. Sorschag e ka përfaqësuar Austrinë deri në vitin 2022, ku u paraqit edhe në Lojërat Olimpike Dimërore të organizuara në Pekin, por pa ndonjë sukses. Sorschag është sportistja më cilësore që Kosova ka natyralizuar deri më tani. Në Kosovë garat me kërcime me ski nuk janë fare të zhvilluara. Deri më tani Kosova nuk ka pasur garuese në këtë disiplinë atraktive. Më herët, Sorschag është shprehur krenare që do ta ketë mundësinë për ta përfaqësuar Kosovën.

“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen e ngrohtë. Jam shumë krenare që në të ardhmen do ta përfaqësoj Kosovën në kërcime me ski. Dua t’i falënderoj edhe familjarët e mi dhe trajnerin dhe të gjithë popullin e Kosovës, sepse kam marrë mbështetje të madhe. Jam krenare që do ta përfaqësoj Kosovën në gara në të gjithë botën”, ishte shprehur Sorschag.