Sulmuesi i Tottenhamit, Son Heung-min, tha se i erdhi shumë keq që e pa trajnerin Antonio Conte të largohej nga klubi anglez dhe ndihet përgjegjës për largimin e italianit pasi dështoi të përsëriste formën e tij të shkëlqyer nga sezoni i kaluar. Son, 30 vjeç, përfundoi si golashënuesi më i mirë në Premier League me 23 gola për ta ndihmuar Tottenhamin të përfundonte të katërtin nën urdhrat e Contes sezonin e kaluar, por koreano-jugori ka shënuar vetëm gjashtë herë në ligë deri më tani këtë edicion. Tottenhami u nda me Conten të dielën e shkuar, tetë ditë pasi ai i cilësoi lojtarët e tij si egoistë, me mungesë shpirti ekipor dhe të paaftë për të luajtur nën presion në një konferencë të jashtëzakonshme mediale pas barazimit 3:3 në udhëtim te Southamptoni.
“Si lojtar, më vjen shumë keq. Ai është një trajner i klasit botëror dhe ne patëm një udhëtim të mrekullueshëm së bashku”, ka pranuar Son. “Duhet të kisha luajtur më mirë këtë sezon. Ndihem përgjegjës për largimin e tij, sepse nuk e kam ndihmuar shumë klubin. Unë jam mirënjohës për atë që ai ka bërë. Ai është një trajner i madh dhe ka kaq shumë përvojë. Unë do ta mbështes kudo që është”.
Italiani Conte ishte në krye të Tottenhamit prej nëntorit të vitit 2021 dhe kishte kontratë deri në fund të sezonit aktual. Tottenhami tashmë është eliminuar nga garat e kupave vendase si dhe nga Liga e Kampionëve. Aktualisht është në pozitën e katërt në Premier League me 49 pikë të tubuara pas 28 ndeshjeve të zhvilluara.
“Sigurisht që misioni ynë është ta mbajmë këtë pozitë deri në fund pasi duam të paraqitemi sërish në Ligën e Kampionëve. Nuk do të jetë lehtë, por jemi gati për të gjitha ndeshjet që na presin deri në mbyllje të sezonit”, është shprehur Son,i cili në total ka realizuar 10 gola në 37 paraqitje në të gjitha garat. “Është e rëndësishme të bëjmë lojëra të mira, pasi vetëm kështu e ruajmë pozitën”.
E deri në fund të sezonit aktual Tottenhami do të drejtohet nga Cristian Stellini. Stellini, i cili ka qenë asistent i Contes për pjesën më të madhe të 13 vjetëve të fundit, ka një mision të vështirë para vetes. 48-vjeçari Stellini ka qenë në qendër të vëmendjes në muajt e fundit, pasi e ka drejtuar Tottenhamin për disa ndeshje në vend të Contes, i cili duhej të largohej për një kohë të shkurtër për shkak të pezullimit ose arsyeve shëndetësore. Ai gjithashtu ka bërë një punë të mire në krye të Tottenhamit, veçanërisht duke shënuar fitore në Marseille në nëntor, për të siguruar avancimin në Ligën e Kampionëve, ndërsa ka mposhtur edhe Manchester Cityn e Chelsean në Premier League gjatë muajit shkurt.
“Stellini e ka menaxhuar mirë ekipin në mungesë të Contes, ka përvojë dhe për këtë arsye do të jetë trajner deri në fund të sezonit. Ne besojmë se ai mund të bëjë një punë të madhe”, ka thënë kreu i Tottenhamit, Daniel Levy.
Ndeshjen e parë pas largimit të Contes, Tottenhami e luan të hënën e ardhshme, ku do të jetë mysafir i Evertonit në kuadër të Premier Leagues.