Ka pëlqim për rikthimin e Mauricio Pochettinos. Ka intriga të ardhjes së mundshme të Julian Nagelsmannit. Ndoshta edhe një përpjekje e guximshme për të joshur Roberto de Zerbin, që ka mahnitur futbollin anglez me punën e tij. Tottenhami - në gjendje të palakmueshme pas largimit të Antonio Contes - do të drejtohet deri në fund të sezonit nga Cristian Stellini. Stellini ka qenë numri dy për një kohë të gjatë dhe tani vazhdon i vetëm periudhën prej disa muajve kërkues, pasi skuadra synon të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Shumica e tifozëve të futbollit dinin gjithçka për Conten, fituesin serial, të paktën para se të mbërrinte në Tottenham. Por, të paktë janë ata që kanë dëgjuar për Stellinin, i cili ka qenë asistent i Contes për pjesën më të madhe të 13 vjetëve të fundit dhe ka një rrugë futbolli po aq interesante sa edhe njeriu të cilit i ka shërbyer besnikërisht deri më tani. 48-vjeçari Stellini është vënë në qendër të vëmendjes në muajt e kaluar ndërsa drejtonte Tottenhamin për disa ndeshje në vend të Contes, i cili duhej të largohej për një kohë të shkurtër për shkak të pezullimit ose arsyeve shëndetësore.
Ai gjithashtu ka bërë një punë të mirë, veçanërisht duke shënuar fitore në Marseille në nëntor, për të siguruar avancimin në Ligën e Kampionëve, ndërsa ka mposhtur edhe Manchester Cityn e Chelsean në Premier League gjatë muajit shkurt. Megjithatë, Stellini është njeriu i Contes, gjë që e bën edhe më të papritur faktin që ai është ende në Tottenham pas ndryshimit të fundit në një klub pa trofe të madh që nga viti 2008. Përveç një qëndrimi dërrmues në Italinë e tij të lindjes me Alessandrian në vitin 2017 – ishte për 142 ditë trajner i ekipit të kategorisë së tretë – Stellini ka qenë gjithmonë asistent në nivelin e lartë, që nga pensionimi si lojtar në vitin 2010. Ai ishte numri dy i Contes në Siena (2010/11), klubin që arriti promovimin në Serie A, dhe më pas në Juventus për pak më shumë se një vit. Më pas erdhi një periudhë e errët për Stellinin, kur ai u dënua me dy vjet e gjysmë në vitin 2012 nga Federata e Futbollit të Italisë pas një hetimi për kurdisje të ndeshjeve.
Ai i mohoi akuzat që rrjedhin nga koha në Bari si lojtar në edicionin 2008/09. Ai u kthye në vitin 2015 si trajner i të rinjve te Genoa dhe përfundimisht u ribashkua me Conten në vitin 2019 tek Interi, duke marrë sërish rolin si ndihmës trajner. Ata u transferuan së bashku në Tottenham në vitin 2021. Stellini qëndroi me formacionin e dëshmuar dhe të testuar 3-4-3 të Contes gjatë ndeshjeve të tij në krye të Tottenhamit dhe nuk ka asnjë shenjë se ai preferon një vendosje tjetër, veçanërisht duke pasur parasysh lojtarët që ka në dispozicion. Ai merr drejtimin me Tottenhamin që zë vendin e katërt dhe të fundit që siguron kualifikimin në Champions, por nën kërcënimin real nga skuadrat më poshtë në renditje. Skuadra e vendit të pestë, Newcastle, është dy pikë mbrapa dhe ka dy ndeshje më pak.
Ndërsa Liverpooli i vendit të gjashtë dhe Brightoni i vendit të shtatë janë shtatë pikë prapa dhe kanë dy respektivisht tri ndeshje më pak të luajtura. Forma e fundit e Tottenhamit ka qenë gjithashtu shqetësuese, me skuadrën që ka fituar vetëm një nga pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Në hapësirën e një jave në fillim të marsit, Tottenhami humbi nga Sheffield Unitedi i nivelit të dytë në 1/8 e finales të Kupës FA dhe u eliminua nga Liga e Kampionëve në të njëjtën fazë. Stellini duhet të forcojë gjërat për fundin e Premier Leagues, duke filluar me duelin kundër Evertonit që e luan më 3 prill. Ndërkohë krerët e klubit do të nisin gjahun për trajnerin e katërt prej vitit 2019, kur u largua Pochettino.