Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Si e bindi PSG-ja Mbappen të firmosë kontratë të re?

Sulmuesi francez, Kylian Mbappe, ka nënshkruar kontratë të re trevjeçare me Paris Saint-Germainin, duke refuzuar kështu kalimin e pritur te Real Madridi.

Por, si e bindi Parisi Mbappen për të nënshkruar kontratën e re dhe të heqë dorë nga transferimi në Madrid? GOAL i ka të gjitha detajet.

Kontrata e kaluar e Mbappes ishte e vlefshme deri më 30 qershor. Për kohë të gjatë është raportuar se Madridi tashmë ka një marrëveshje për të nënshkruar me sulmuesin, që do të kalonte si lojtar i lirë.

Marrëveshja përfundimtare nuk u realizua kurrë. Mbappe përfundimisht vendosi të nënshkruajë me kushte të reja te PSG-ja, ndërsa kontrata e re e mban atë në “Pars des Princes” deri në vitin 2025.

GOAL mund të konfirmojë që PSG-ja e ka bërë Mbappen lojtarin më të paguar pasi e bindi të nënshkruajë kontratën e re. 23-vjeçari tani ka pagë më të lartë se Lionel Messi e Neymar.

Mbappe, po ashtu, pritet të përfitojë bonus prej mbi 100 milionë eurosh për nënshkrimin. Presidenti Nasser Al-Khelaifi i ka premtuar sulmuesit se do të ketë ndryshime të mëdha si në këshillin drejtues ashtu edhe në nivel të skuadrës.

Drejtori sportiv, Leonardo, është prej atyre që pritet të largohet nga klubi. Luis Campos vlerësohet favorit për ta zëvendësuar brazilianin pasi kishte periudha të suksesshme në pozitë të njëjtë te Monaco dhe Lille.

Mbappe është siguruar për një projekt të përmirësuar sportiv të PSG-së. Projekti këtë herë nuk do të përfshijë obsesionin për blerjen e yjeve të futbollit, siç ishte rasti verën e kaluar kur Lionel Messi, Sergio Ramos, Gianluigi Donnarumma dhe Achraf Hakimi u bënë pjesë e skuadrës.

Vendimi final i Mbappes, po ashtu, është ndikuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, që ka folur përmes telefonit disa herë me sulmuesin gjatë muajve të fundit.

Macroni i ka thënë Mbappes se do të jetë më mirë të qëndrojë, pasi ai shihet si ikonë në Paris. Po ashtu, do të jetë në qendër të vëmendjes kur Lojërat Olimpike të mbahen në Paris në vitin 2024.

Macroni ia ka kujtuar yllit të PSG-së statusin si shembull i gjeneratës së ardhshme. I ka kërkuar që të marrë për bazë benefitet nga vazhdimi i karrierës në vendin e lindjes.

Dashuria e Mbappes për klubin ishte po ashtu faktor kyç. Mbappe ka ambicie që të bëhet lojtari më i madh në histori të Parisit dhe të thyejë rekordin e Edinson Cavanit për më së shumti gola të shënuar në histori. Ai tani është vetëm 30 gola larg rekordit prej 17 golave.

Artikuj të ngjashëm