Vendimi i sulmuesit Kylian Mbappe për të refuzuar Real Madridin dhe për të mbetur te Paris Saint-Germaini për tre sezone të tjerë, shënon fillimin e një projekti të madh rindërtimi te kampioni i ligës franceze. Qëkur investitorët e Katarit morën përsipër klubin në vitin 2011, PSG-ja ka qenë një forcë dominuese në Francë, por vazhdimisht ka dështuar ta përsërisë atë sukses në skenën evropiane, pavarësisht se ka shpenzuar shuma masive parash për lojtarët yje.
Zyrtarët e klubit tani shpresojnë që vendimi i Mbappes për të refuzuar gjigantin spanjoll më në fund do të çojë në pushtimin e trofeut më të madh në nivel klubesh, Ligën e Kampionëve. Përveç shumave kolosale të parave që thuhet se i janë premtuar sulmuesit 23-vjeçar – kushtet financiare të marrëveshjes së re të Mbappes nuk janë bërë të ditura – ylli francez ka marrë garanci se gjërat do të ndryshojnë në mënyrë drastike, me një trajner të ri dhe një drejtor të ri sportiv që ka të ngjarë të emërohen në ditët ose javët në vijim. Lojtarët e rinj do të bashkohen gjithashtu këtë verë për të ndihmuar në finalizimin e një projekti që do të përqendrohet rreth sulmuesit fitues të Kupës së Botës.
“Projekti ka ndryshuar”, tha Mbappe, në konferencën për shtyp të hënën ku edhe zyrtarisht e firmosi kontratën e re deri në vitin 2025. “Klubi dëshiron të bëjë ndryshime të mëdha në aspektin sportiv, kështu që kjo më ka dhënë dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin. Tregimi im te PSG-ja ende nuk ka përfunduar”.
“Duke zgjatur kontratën e tij me Paris Saint-Germainin, ai bëhet gurthemeli i projektit të klubit për vitet në vijim, si brenda ashtu dhe jashtë fushës”, tha presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi.
“Unë jam një futbollist, i ankoruar mirë në një kolektiv”, tha Mbappe. “Edhe nëse sigurisht lojtarët kanë status të ndryshëm në një ekip. Unë mbetem futbollist dhe nuk do të shkoj përtej këtij roli”.
I ulur pranë lojtarit të tij, Al-Khelaifi nuk dha shumë detaje rreth riorganizimit të PSG-së, por premtoi të nënshkruajë lojtarë të rinj pas qëndrimit të Mbappes.
“Sepse ai me të vërtetë e meriton atë”, tha Al-Khelaifi, duke shtuar se paratë nuk ishin vendimtare për të bindur Mbappe për të refuzuar ofertën e Real Madridit dhe për të zgjatur partneritetin e tij të shkëlqyeshëm me Neymarin dhe Lionel Messin në kryeqytetin francez. “Gjëja më e rëndësishme për Kylian ishte projekti sportiv”.
Viktima e parë e qëndrimit të Mbappes në kryeqytetin francez ka qenë drejtori sportiv Leonardo. Ish-reprezentuesi brazilian, i cili u kthye në klub tre vjet më parë, u shkarkua gjatë fundjavës pas diskutimeve intensive. Sipas gazetës “L’Equipe”, largimi i tij ishte vendimtar në negociatat me Mbappen, i cili shtyu për një rishikim të hierarkisë pas eliminimit të PSG-së në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve nga Real Madridi në mars. Luis Campos është paralajmëruar si zëvendësues i Leonardos. Portugezi është një zbulues i njohur talentesh me lidhje në Evropë e Amerikë të Jugut dhe ka pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me Mbappen dhe familjen e tij. Campos, i cili më parë ka punuar te Lille dhe Monaco, kishte luajtur një rol me ndikim kur Mbappe nënshkroi marrëveshjen e tij të parë profesionale me skuadrën e Principatës në vitin 2016. Megjithatë, një gjë që nuk do të ndryshojë menjëherë te PSG-ja, është zakoni i ndërrimit të shpeshtë të trajnerëve. Mauricio Pochettino, i cili vulosi titullin e dhjetë të PSG-së, por nuk mundi të shmangë një tjetër dështim në Ligën e Kampionëve, nuk është i sigurt për të ardhmen e tij mes raporteve në mediat franceze se ai do të zëvendësohet së shpejti. Spekulimet për emërimin e mundshëm të Zinedine Zidanes janë rritur ditët e fundit. Për të forcuar ekipin e tyre, zyrtarët e PSG-së kanë diskutuar gjithashtu me Mbappen për perspektivën e rekrutimit të një mbrojtësi të gjithanshëm dhe disa mesfushorë të rinj. Bëhet e ditur se shënjestrat kryesore këtë verë të Parisit mbesin mesfushori i Monacos, Aurelien Tchouaméni, dhe sulmuesi i Barcelonës, Ousmane Dembele, që do të mbetet lojtar i lirë nëse nuk rinovon kontratën. Mbappe iu bashkua PSG-së nga Monaco në vitin 2017 kur ishte ende adoleshent. Ai ka shënuar tashmë 171 gola në vetëm 217 paraqitje për PSG-në.
Mbappe ka thënë shpesh se të luante për Realin ishte ëndrra e tij e fëmijërisë dhe francezi nuk përjashtoi mundësinë e lëvizjes te klubi spanjoll në një fazë të mëvonshme të karrierës së tij.
“Unë jam vërtet i fokusuar në këtë kontratë të re, çfarë do të ndodhë në të ardhmen nuk e di”, tha Mbappe që pranoi se është këshilluar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, para se të merrte vendimin për të ardhmen e tij. “Ne folëm shumë. Mund të thuash se ishte një këshillë e mirë. Ai donte që unë të qëndroja, kjo është pjesë e negociatave”.