Sport

Shala flet për largimin e Mujës: Kosova e përkrahu kur kishte nevojë

Menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala ka folur për largimin e sulmuesit të krahut, Arbnor Mujës.

Muja u largua nga Kosova për t’u pajisur me pasaportë të Shqipërisë dhe për të qenë nën urdhrat e brazilianit Sylvinho. Futbollisti i Antwerpit është ftuar nga Shqipëria për ndeshjet e këtij muaji kundër Çekisë dhe Polonisë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Muja ishte ftuar në mars të këtij viti nga Kosova, por pastaj nuk u ftua në qershor nga ish-selektori Alain Giresse me të cilin pati një përplasje në distancë.

Shala ka thënë të hënën se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), e ka përkrahur Mujën dhe ka pasur besim të madh tek ai. Po ashtu, ka shtuar se përkrahja nuk i ka munguar as në momentet e tij më të vështira.

“Sa i përket Mujës, ne nuk jemi duke kërkuar fajtor. Fillimisht në emër të FFK-së, kisha dashur ta falënderoj Mujën që ka qenë pjesë e ekipeve kombëtare për 5 vjet. Është një lojtar që Kosova ka besuar gjithmonë në të, edhe kur nuk ka pasur momente të mira në klube. Ka pasur periudha kur ka luajtur në ligën e pestë të Gjermanisë dhe Kosova kurrë nuk ja ka mbyllur dyert. Ka qenë pjesë e ekipeve. Në ekipin U21 kur ishte trajneri Prekazi, Muja është selektor edhe para se ti vijë mosha”, ka thënë Shala. “Edhe kur ka qenë në ligë të pestë të Gjermanisë, si dhe në kohën kur ishte rezervist te Skënderbeu, që nuk ishte Skënderbeu që ka qenë më herët po që ka luftuar për mbijetesë. Në Shqipëri. Kosova ka besuar tek ai edhe atëherë edhe kur u transferua ne Antëerp”. Shala shtoi se përkundër vështirësive, Muja ishte ftuar në fund të vitit të shkuar, saktësisht në muajin nëntor. Mirëpo, kishte kërkuar të mos i bashkohej Kosovës për të luftuar për një vend tek Antwerpi. “Ne e kemi mirëkuptuar këtë kërkesë që ai të qëndroj atje sepse nuk ishte në situatën më të mirë. FFK-ja, ka qenë afër tij dhe i ka ndihmuar në zhvillimin e tij në karrierë. Ka ndodhur ajo që ka ndodhur në mars, po flasim për ndeshjen e parë të tij dhe një ndeshje që nuk ka luajtur. Ai menjëherë ka dashur të flas me selektorin se cili ishte pozicioni i tij në ekip dhe të marrë sqarime”, ka thënë Shala, duke thënë se Muja kishte biseduar personalisht me Giressen dhe një pjesëtar të stafit që kishte përkthyer. “Më pas Giresse ka vendosur të mos e grumbulloj në qershor dhe që nga atëherë e tutje është ditur që do të kemi selektor të ri dhe një lojtar që ka dashur të luaj për Kosovën, e ka pasur të qartë se dy apo tri ditë pas ndeshjes me Bjellorusinë do të ketë selektor të ri dhe periudha e sekektorit të vjetër që ka pasur probleme ka përfunduar dhe gjithçka ka qenë e hapur”. Shala thotë se pasi e kanë pranuar shkresën zyrtare nga FSHF-ja rreth dokumentacionit për të ndërruar kombësinë nga Kosova në të Shqipërisë, kanë tentuar ta kontaktojnë. “Kemi provuar ta kontaktojmë, presidenti Ademi ka provuar, selektori ia ka bërë të qartë se është pjesë shumë e rëndësishme e planeve të tij për ndeshjet e shtatorit. Por ai ka bërë të qartë vendimin e tij dhe nuk e di se çfarë duhet të bëjmë më shumë për një futbollist që FFK-ja, i ka besuar gjithmonë”.