Shqipëria arriti kualifikimin e dytë në Kampionat Evropian, në nëntorin e vitit të kaluar. Me barazimin pa gola me Ishujt Faroe e siguroi fazën grupore të Evropianit, që këtë verë organizohet në Gjermani.
Shqipëria përfundoi e para në Grupin E me 15 pikë, aq sa kishte edhe Republika e Çekisë. Shqipëria e drejtuar nga selektori brazilian Sylvinho shkëlqeu përgjatë ndeshjeve kualifikuese. Tani synon që të bëjë befasi në Grupin B të “Euro 2024”, ku janë edhe Italia, Kroacia dhe Spanja.
Por, para ndeshjeve të Evropianit, kuqezinjtë do t’i kenë katër miqësore, dy këtë muaj e dy në qershor.
Këto ndeshje do të shfrytëzohen për rritjen e nivelit të lojës së Shqipërisë, ka thënë Sylvinho, në konferencën për shtyp të mbajtur të shtunën.
Sylvinho ka ftuar 26 futbollistë për duelin e 22 marsit kundër Kilit në “Ennio Tardini” të Parmas, dhe atë të 25 marsit në udhëtim te Suedia.
Në listën që u publikua të premten munguan Mirlind Daku e Arbnor Muja, ndërsa Arbër Hoxha është ftuar për herën e parë.
“Këtë herë nuk do të jenë me ne Daku, Muja dhe Gjasula. Janë lojtarë shumë të rëndësishëm të cilët i kemi në konsideratë dhe janë në planet tona. Por ne duhet të provojmë sa më shumë lojtarë në këtë moment. Nuk mund t’i marrim dot 30 lojtarë me vete në këto dy ndeshje, pasi duhet t’i japim mundësinë edhe lojtarëve të tjerë, t’i vëzhgojmë nga afër se çfarë kanë mundësi të bëjnë. Kemi Manajn i cili vjen për herë të parë me mua në Kombëtare, Brojën i cili vjen për herë të dytë me mua në Kombëtare. Herën e parë nuk kemi pasur mundësi ta provojmë sepse ai u detyrua të largohej i dëmtuar. Kemi marrë edhe Arbër Hoxhën, i cili është një lojtar shumë interesant. Kemi tre muaj që e vëzhgojmë nga afër, është një lojtar që luan në krahun e majtë por këmbën e preferuar e ka të djathtën. Kur të vijë këtu do ta shohim nëse ai mund të luajë edhe në pozicione të tjera”, ka deklaruar Sylvinho.
Tekniku brazilian ka thënë se kjo nuk është lista që do të jetë në Evropianin në Gjermani. Ai ka theksuar se për listën përfundimtare do të mendojë më vonë, ndonëse do të jetë shumë e vështirë.
“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për fazën finale të Evropianit, por jo vendimtare. Nuk duhet të harrojmë që ka një rrugëtim të çdo lojtari për të ardhur deri këtu. Të gjitha skuadrat kanë marrë nga 25-26 futbollistë dhe ndoshta edhe më shumë dhe ky është momenti që ne të provojmë sa më shumë elementë”, ka vazhduar Sylvinho.
Ai është i brengosur për portierët. Etrit Berisha me Empolin dhe Thomas Strakosha me Brentfordin, nuk kanë qenë titullarë për kohë të gjatë.
Por, selektori brazilian ka theksuar se forma e lojtarëve mund të ndryshojë deri në qershor dhe nuk është në presion të rezultateve.
“Në futboll ka tri rezultate, fitore, barazim dhe humbje. Ne nuk shkojmë kurrë për të marrë barazim, por për të fituar. Më kujtohet ndeshja me Moldavinë, kur të gjithë thoshin ti do të shkosh atje dhe ne na duhet vetëm një pikë. Nuk funksionon kështu. Objektivi jonë në një ndeshje është vetëm fitorja. Sa u përket mungesave dua ta theksoj, Ajeti dhe Ismajli nuk janë me ne sepse janë të dëmtuar. Ne kemi folur me lojtarët dhe nuk mund të rrezikojmë sepse ata kanë probleme fizike. Ndërkohë, ne do të kemi Kumbullën, Veselin, Mersinajn në pjesën mbrojtëse. Janë lojtarë që do t’i vëzhgojmë të gjithë nga afër. Por nuk mendoj asgjë tjetër, vetëm të futemi në këto ndeshje për t’i fituar të dyja”.
Në fillim të muajit qershor, Shqipëria testet e fundit para Evropianit do t’i ketë kundër Lihtenshtajnit dhe Azerbajxhanit.
Evropianin e nis me duelin kundër Italisë më 15 qershor. Më 19 qershor luan me Kroacinë, kurse me Spanjën e mbyll fazën grupore më 24 qershor.