Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Shala paraqet qëndrimin e FFK-së për Amir Rrahmanin

Bajram Shala

Federata e Futbollit e Kosovës nuk është deklaruar deri të hënën lidhur me vendimin e Amir Rrahmanit për largim nga ekipi kombëtar, i pakënaqur me drejtuesit e FFK-së. 

Dhe për këtë të hënën foli menaxheri i përfaqësueses A, Bajram Shala. 

“Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dua ta falënderoj Amir Rrahmanin për gjithë kontributin që e ka dhënë për ekipin përfaqësues si lojtar. Pavarësisht se sa i papranueshëm është veprimi i tij i fundit, për ne si Federatë ai nuk e fshin kontributin e madh që Amiri e ka dhënë si lojtar për dhjetë vite edhe për një periudhë të gjatë duke qenë kapiten i Kosovës. Por as periudha dhe kontributi si lojtar nuk e arsyeton veprimin e tij të fundit, sidomos se si ky veprim ka ardhur”, ka thënë Shala. 

Ai ka treguar se ka kontaktuar me Rrahmanin, por ka shtuar se nuk i di arsyet e largimit të papritur të tij.

“Kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Amirin për një kohë të gjatë. Kam provuar t'i adresoj gjitha kritikat apo vërejtjet që i ka pasur Amiri, madje kemi ofruar që të shkojmë edhe në shtëpinë e tij në Napoli të bisedojmë për këto çështje, por Amiri nuk ka qenë i gatshëm. Arsyet e një veprimi të tillë unë nuk i di, por Amiri është një djalë i pjekur. A ka qenë i manipuluar prej dikujt tjetër dhe pse ka dalë me atë njoftim, unë nuk e kuptoj. Çka mund të them për Amirin dhe për gjithë futbollistët e tjerë, është që ekipi kombëtar nuk mund të kushtëzohet me prezencën apo mosprezencën që një futbollist të jetë pjesë e ekipit kombëtar. Kjo vlen për të gjithë, vlen edhe për Amirin”, ka shtuar Shala.

Ai ka treguar se janë në pritje të vendimit të FIFA-s për ndërrimin e shtetësisë së Dion Kaçurit, në mënyrë që ai ta fitojë të drejtën të luajë për Kosovën.

Lexo përditësimet tjera
Franco Foda

Foda flet për largimin e Rrahmanit, por fokusohet tek e ardhmja

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka tentuar ta bindë Amir Rrahmanin që të vazhdojë...