Interi do të paraqitet në finalen e pestë të Ligës së Kampionëve, kur të shtunën do të përballet me Manchester Cityn në Stamboll. Kampioni i trefishtë i Evropës do të kërkojë trofeun e parë të kësaj gare që kur fitoi tripletën – Serie A, Kupën e Italisë dhe Championsin - nën drejtimin e Jose Mourinhos në vitin 2010.
Për trajnerin aktual të Interit, Simone Inzaghi, është finalja e parë e Ligës së Kampionëve, siç është edhe për të gjithë lojtarët e tij. Pak do ta kishin imagjinuar se Interi do të ishte në këtë pozicion kur shorti u hodh në muajin gusht për fazën e grupeve. Por Interi avancoi nga një grup i vështirë që përfshinte gjigantët evropianë Bayern Munich e Barcelona, si dhe vazhdoi duke eliminuar Porton, Benficën dhe rivalin e qytetit të Milanin, rrugës për në finale.
Faza e grupeve
Sapo u hodh shorti, grupi i Interit u quajt grupi i vdekjes. Bayerni, Barcelona dhe Interi kishin 14 tituj evropianë të fituar. Skuadra çeke Viktoria Plzen e ka kompletuar grupin. E ardhmja e Interit në Ligën e Kampionëve dukej e zymtë kur humbi 2:0 në shtëpi nga Bayerni në ndeshjen e parë. Ishte mënyra si u humb ndeshja që bëri që përparimi të dukej i pamundur. Kishte një hendek të qartë mes dy skuadrave. Interi do të kishte humbur me një rezultat më të thellë nëse nuk do të ishte portieri Andre Onana.
Interi humbi me të njëjtin rezultat në Gjermani, por deri atëherë kishte siguruar një vend në 1/8 e finales. Një fitore e diskutueshme në shtëpi ndaj Barcelonës i kishte dhënë avantazhin në atë që ishte garë për vendin e dytë, duke bërë që Interi ta konfirmojë avancimin me barazimin 3:3 në Spanjë.
1/8 e finales
Inter mundi Porton me rezultatin e përgjithshëm 1:0 për të arritur në çerekfinale për herë të parë që kur doli nga kjo fazë në vitin 2011 si kampion në fuqi.
Një gol i vonshëm i sulmuesit Romelu Lukaku në ndeshjen e parë dhe mbrojtja e mirë në të dytën mjaftoi për të parë Interin të avanconte dhe ndoshta të shpëtonte punën e Inzaghit. Në kohën kur udhëtoi për në Porto në mars, Interi ishte tashmë jashtë garës për titull në Serie A pasi kishte mbetur 18 pikë prapa liderit dhe kampionit të mëvonshëm Napolit. Presioni ishte mbi Inzaghin. Interi u mbrojt fort në Portugali, por Porto duhej ta kishte çuar ndeshjen në vazhdime pas një finishi dramatik. Thellë në kohën shtesë, Portos iu mohua një gol nga vija e portës, ndërsa ekipi portugez gjithashtu qëlloi dy herë shtyllën. Të gjitha ndodhën brenda një minute.
Çerekfinalja
Inzaghi dhe Interi ishin nën presion edhe më të madh përpara testit të dytë portugez. Interi ishte pa fitore në më shumë se një muaj kur udhëtoi te Benfica. Ecuria prej gjashtë ndeshjeve pa fitore përfundoi me triumfin 2:0, falë një goli me kokë nga Nicolo Barella dhe një penalltie të Lukakut. Interi mori kritika të tjera pasi humbi në shtëpi nga Monza në ligën italiane, por barazoi 3:3 kundër Benficës në “San Siro” për të avancuar në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 5:3. Ndeshja e dytë ishte më komode sesa sugjeron rezultati. Interi hoqi dorë nga epërsia prej dy golave në fund të ndeshjes. Skuadra italiane ishte kritikuar se nuk ishte mjaftueshëm klinike para portës dhe nuk arriti të shfrytëzonte shumë raste. Por Barella shënoi herët dhe Lautaro Martinez e Joaquin Correa shënuan në pjesën e dytë për të garantuar vendin në mesin e katër më të mirëve.
Gjysmëfinalja
Gjithçka dukej se shkonte siç duhet për Interin në përgatitjet për gjysmëfinale kundër rivalit të qytetit, Milanit. Lojtarët u kthyen nga dëmtimet, ndërsa të tjerët që kishin bërë paraqitje nën nivel filluan të kthehen në formë. Veçanërisht sulmuesi Lukaku. Interi mundi Milanin 2:0 në ndeshjen e parë të ashtuquajturit “Euroderby”, me golat e Edin Xhekos dhe Henrikh Mkhitaryanit në 11 minutat e parë. Martinez shënoi golin e vetëm në fitoren 1:0 në ndeshjen e kthimit, ku Interi ishte vendas në stadiumin që ndajnë dy skuadrat e qytetit të Milanos. Këto fitore erdhën në mes të një ecurie mbresëlënëse që pa Interin ta mbyllte edicionin me 11 fitore në 12 ndeshjet e fundit. Kjo natyrisht përpara ndeshjes së fundit dhe më të rëndësishme të edicionit, të shtunën në Stamboll.