Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Roli vendimtar i Xhemailit në rrugëtimin e Zuerichut drejt titullit të kampionit

Skuadra zvicerane, Zuerich, është në rrugë të mirë për ta fituar titullin e parë të kampionit që nga viti 2009. Zuerichu i shumë shqiptarëve po udhëheq në Superligën e Zvicrës me 50 pikë, dhjetë më shumë se Young Boysi e Baseli.

Pjesë e rëndësishme e Zuerichut janë mbrojtësit Mirlind Kryeziu, Fidan Aliti e Lindrit Kamberi, si dhe mesfushori Bledian Krasniqi. Por është kontributi i 35-vjeçarit Blerim Xhemaili që po çmohet shumë në klubin zviceran. Ish-reprezentuesi i Zvicrës, Xhemaili, është në fazën përmbyllëse të karrierës. Por kontributi i tij në edicionin aktual të Zuerichut po vlerësohet shumë i madh. Xhemaili ishte kthyer te Zuerichu në dhjetor të vitit 2020, pas një karriere të gjatë e të suksesshme, kryesisht në Itali.

“Blerimi ka pasur periudhë të vështirë në fillim kur u kthye te Zuerichu. Ai u dërgua në fushë edhe pse nuk ishte 100 për qind i gatshëm”, ka thënë trajneri i Zuerichut, Andre Breitenreiter, njofton “bluewin.ch” të premten.

Xhemaili përtëriu në verë një lëndim që e kishte më herët dhe këtë herë te Zuerichu ishin më të kujdesshëm.

“Kishim bashkëpunim të ngushtë. Natyrisht, Blerimi është shumë ambicioz. Kur ai ishte i gatshëm, të gjithë ne e kemi parë shumë shpejt se ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm për lojën tonë”.

Zuerichu të dielën nga ora 16:30 e luan ndeshjen derbi me Baseli. Takimi i takon xhiros së 23-të. Te Zuerichu bazohen shumë në këshillat e Xhemailit dhe përvojën e tij.

“Personaliteti i tij në fushë, emri i tij, por edhe kualiteti i tij si lojtar janë shumë të mira për ekipin tonë. Lojtarët e rinj të gjithë e shikojnë atë si shembull. Kur ai thotë diçka të gjithë janë të qetë”, ka treguar trajneri i Zuerichut.

Edhe Xhemaili përgatitet për festë me Zuerichun dhe shtyn pensionimin të paktën edhe për një vit Sport Xhemaili përgatitet për festë me Zuerichun dhe shtyn pensionimin të paktën edhe për një vit

Breitenreiter ka thënë se Xhemaili është “dorë e zgjatur” e tij në fushë.

“Si trajner jam shumë falënderues ta kem një lojtar të tillë. Blerimi mund të vendosë vetë se kur t’i japë fund karrierës. Unë do të isha i lumtur nëse ai do të qëndronte me ne sa më gjatë të jetë e mundur. Nuk ka rëndësi se sa ndeshje luan”, ka shtuar Breitenreiter.

Xhemaili për Zvicrën ka luajtur 69 ndeshje dhe ka shënuar dhjetë gola. Ai ishte zhvilluar te Zuerichu, ndërsa më pas kishte luajtur për Torinon, Parman, Napolin, Galatasarayn, Genoan, ndër të tjera.