Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Xhemaili vendos derbin e fundit të Zuerichut

Mesfushori Blerim Xhemaili e ka luajtur të dielën pasdite derbin e fundit të qytetit të Zuerichut.

Dhe e ka vendosur atë. Xhemaili 37-vjeçar, ka vendosur të pensionohet në fund të këtij edicioni. Zuerichu të dielën në kuadër të xhiros së 34-t të Superligës së Zvicrës u përball me Grasshopperin. Fitoi me rezultatin 2:1. Golin e fitores e shënoi Xhemaili në minutën e 54-t.

Golin e parë për Zuerichun e shënoi Lindrit Kamberi në minutën e 24-t. Ndërkohë në minutën e tetë Grasshopperi kaloi në epërsi 1:0, kurse asistues ishte Shkëlqim Demhasaj. Mbrojtësi Kamberi, mesfushori Xhemaili dhe mbrojtësi tjetër, Fidan Aliti, startuan te Zuerichu.

Demhasaj, Amir Abrashi dhe Meritan Shabani startuan te Grasshopperi. Për Zuerichun luajti edhe Bledian Krasniqi, derisa te Grasshopperi u paraqit si zëvendësues Dion Kacuri. Zuerich – Grasshopper është prej derbive më të mëdhenj në futbollin zviceran.

Zuerichu është i teti me 41 pikë, ndërsa Grasshopperi renditet i gjashti me 43 pikë. Ish-reprezentuesi i Zvicrës, Xhemaili, ka pasur karrierë të madhe. Ka luajtur edhe në Itali, Turqi, Kanada e Angli. Pjesën më të madhe të karrierës 20-vjeçare e ka kaluar në Itali.

Artikuj të ngjashëm