Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Xhemaili: Zuerichu ka gjasa ta sigurojë Evropën

Blerim Xhemaili - FC Zurich

Legjenda në largim i Zuerichut, Blerim Xhemaili, i jep fund karrierës së tij në futboll në fund të sezonit aktual. Por Xhemaili zbulon se synimi i Zuerichut pas triumfit në derbi ndaj Grasshopperit është pozita e pestë. Pozitë e pestë siguron pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Kjo për shkak se Young Boys dhe Lugano do të luajnë në finale të Kupës dhe siç shkruan “Blick” kjo i jep të drejtë Young Boysit dhe Luganos të marrin pjesë në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

Lugano aktualisht është në vendin e tretë, kurse Young Boysi si kampion luan në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Zuerichu është në vendin e tetë me 41 pikë, kurse Baseli dhe Grasshopperi nga 43 pikë në vendet pesë dhe gjashtë. Zuerichu më herët ishte në garë për mbijetesë, por tashmë synon një vend në Evropë.

“Tani duhet të përpiqemi ta arrijmë vendin e pestë. Kjo do të thotë një vend në Evropë. Ky është qëllimi ynë tani. Do të ishte shumë e rëndësishme për klubin”, ka thënë Xhemaili, i cili shënoi njërin prej dy golave të fitores 2:1 të Zuerichut në derbi ndaj Grasshopperit. “Ne duam t’i fitojmë gjashtë pikë”, është shprehur Xhemaili.

Zuerichut ndeshjen e parafundit e luan ndaj Winterthurit, kurse të fundit kundër Luganos.