Futboll

Rikthimi i Xhemailit në futboll nis me supergol

Blerim Xhemaili

Ikona e Zurichut, Blerim Xhemaili, e nisi me supergol debutimin e tij si senior. Ish-futbollisti me karrierë të pasur e me paraqitje për Boltonin, Torinon, Parman, Napolin, Galatasarayn, Genoan, Bolognan, Montreal Impactin e Shenzhenin, e luajti të martën ndeshjen e parë garuese qëkur u tërhoq nga futbolli profesionist. 39-vjeçari tani është pjesë e ekipit senior të FC Adliswil.

Xhemaili u tërhoq nga futbolli profesionist më 29 maj të vitit 2023. Prej asaj kohe ka punuar si analist televiziv, ndërsa tani po e shijon kohën e lirë në fushën e futbollit sërish, shkruan “Blick” të premten.

Të martën në mbrëmje, Xhemaili u rikthye në fushë me ekipin e mbi 30-vjeçarëve të FC Adliswil. Luajti në fushën sportive “Erachfeld” në Bulach, në vend të stadiumit “Letzigrund”, ku u paraqit për herë të fundit si profesionist. Dhe në vend të Ligës së Kampionëve apo Ligës së Evropës, tani luan në Kupën Rajonale të të Moshuarve në Zurich.

Ai dhe Alain Nef i janë bashkuar ekipit të sapoformuar. Dhe menjëherë ka shkëlqyer në fushë. Në fitoren 6:2, Xhemaili me numrin e zakonshëm 21 në fanellë, realizoi tre gola dhe një asistim, pa asnjë seancë stërvitore me skuadrën e re. Futbollisti me 69 paraqitje për Zvicrën nuk e pati problem.

“Ku ke dhembje më shumë?”, e ka pyetur “Blicku” ish-mesfushorin e talentuar, pas debutimit. “Askund, jam në formën më të mirë”, është përgjigjur Xhemaili duke qeshur.

“Fizioterapisti im nga koha e Zurichut, Salvatore Giangreco, e themeloi këtë ekip dhe më pyeti nëse doja të bashkohesha”, tregon Xhemaili, duke shtuar se kërkesa i erdhi në kohën e duhur. 
“Në një moment gjatë muajve të fundit e kuptova se futbolli më mungonte më shumë sesa që e mendoja”.

Ish-shokët e Xhemailit te Zvicra i kishin thënë që të mos e merrte këtë iniciativë. Por, ai dhe Alain Nef vendosën të luanin. Njëri lider në mesfushë, e tjetri në mbrojtje. Kjo e bën FC Adliswilin ndoshta skuadrën më tërheqëse për ta parë në këtë sezon të futbollit amator.

“Kundërshtarët u habitën shumë kur unë dhe Alain u shfaqëm papritmas në fushë”.

Përshtypjet e tij të para në ndeshjen e Kupës kundër FC Bulach ishin pozitive. Xhemaili luajti 55 minuta. Nef luajti deri në minutën e 70-të.

Xhemaili thotë se ka ambicie për ta fituar çdo ndeshje. Por, për sa kohë do të luajë, këtë nuk e ka treguar 39-vjeçari.

“Do të stërvitem kur të jem në Zurich dhe të kem kohë. Sigurisht se jam i uritur dhe me ambicie për ta fituar çdo ndeshje. Luaj futboll, por jo vetëm për argëtim”, deklaroi Xhemaili.

Xhemaili u lind në Tetovë, por vlerësohet prej lojtarëve më të suksesshëm shqiptarë. Ai i ka tre tituj kampioni dhe një Kupë të Zvicrës, një titull, një kupë dhe një Superkupë në Turqi, si dhe dy Kupa të Italisë.

Me Zvicrën ishte pjesëmarrës në tri Kupa të Botës dhe në një Kampionat Evropian. Realizoi gol në Botërorin 2014 dhe 2018.