Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Zvicra mbetet edhe pa një talent, Behrami e Xhemaili fajësojnë federatën

Alessandro Romano

Të premten FIFA ka miratuar kalimin e Alessandro Romanos nga Federata e Futbollit e Zvicrës në Federatën e Futbollit të Italisë. I lindur në Winterthur, Romano ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës, deri në atë U20. Dhe tani pritet të ftohet nga Italia A.

Mesfushori 20-vjeçar prej vitit 2022 zhvillohet te Roma. Kishte periudhë huazimi te Spezia në Serie B dhe tani është i huazuar te Cagliari në Serie A. 

Vitin e kaluar Zvicra mbeti pa Leon Avdullahun dhe Albian Hajdarin, që iu bashkuan Kosovës. Të dy vlerësoheshin me të ardhme te “helvetikët”, por vendosën për Kosovën.

Për largimin e Romanos në drejtim të Italisë kanë folur edhe Valon Behrami e Blerim Xhemaili, dy prej reprezentuesve të njohur të Zvicrës. Behrami e ka vlerësuar lart talentin e futbollistit që do të luajë për Italinë. Ai e ka vlerësuar këtë lëvizje si dështim të Federatës së Futbollit të Zvicrës.

“Federata ishte plotësisht në gjumë kur bëhej fjalë për Romanon”, ka thënë Behrami në një studio televizive në Zvicër. “E konsideroj këtë një gabim të madh të federatës nga çdo këndvështrim”, ka shtuar ish-mesfushori i shumë skuadrave italiane.

Behrami ka theksuar se të gjithë e kanë ditur çfarë talenti është Romano. Sipas tij, Zvicra është dashur më herët ta integrojë në ekipin A dhe jo vetëm të bëjë përpjekje pasi lojtari u stabilizua në nivelin serioz.

“Nuk e kuptoj qasjen e federatës. I shohim vetëm kur ai luan në Kupën e Botës ose në ndeshjet kualifikuese. Ndërkohë duhej të punonin në mënyrë proaktive gjatë gjithë vitit. Nuk mund të shfaqesh në stadium pasi ai të ketë shënuar golin e parë. Talenti i jashtëzakonshëm i djaloshit ishte i dukshëm më herët”, ka vazhduar Behrami, duke kritikuar përpjekjen e vonshme të federatës zvicerane për të bindur Romanon.

Blerim Xhemaili, ish-reprezentuesi tjetër i Zvicrës, po ashtu ka kritikuar federatën e këtij vendi. Ka thënë se përgjegjësit e saj ishin në gjumë.

“Por vendimi i tij duhet të respektohet. Është vendim që o mor me zemër e që duhet të pranohet. Gjithsesi është dashur të bëhet më shumë. Çdo gjë e mundur është dashur të bëhet që ai të mbahej. Por në fund lojtari e merr vendimin”, ka thënë Xhemaili.

Largimi i Avdullahut e Hajdarit në drejtim të Kosovës kishte bërë bujë. Ata tashmë janë prej lojtarëve kryesorë te Kosova.