Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Trendi në rritje i ndryshimit të përfaqësueseve nga futbollistët

Jo shumë kohë më parë, Leon Avdullahu e Albian Hajdari (në foto) lanë Zvicrën për të luajtur për Kosovën

Jo shumë kohë më parë, Leon Avdullahu e Albian Hajdari (në foto) lanë Zvicrën për të luajtur për Kosovën

Dy lojtarë e fituan të drejtën e paraqitjes për Austrinë. Një i ri e mori “shtetësinë futbollistike të Kroacisë”. Një supertalent nuk ka vendosur ende nëse do të luajë për Marokun apo për Francën.

Zhvillime të tilla ka shpesh. Në disa periudha madje çdo ditë. Dhe këto zhvillime dëshmojnë trendin në rritje të kalimit të futbollistëve nga njëra përfaqësuese në tjetrën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndryshimi i klubit është i zakonshëm në futboll. Tani edhe ndryshimi i përfaqësueses.

Natyrisht, pjesë e këtyre zhvillimeve janë edhe futbollistët shqiptarë. Për shembull javën e kaluar Bujar Pllana e fitoi të drejtën e paraqitjes për Shqipërinë. Federata e kaluar e mbrojtësit ishte ajo e Kosovës. Por pasi te Kosova nuk u llogarit për ekipin A, ai pritet të luajë për Shqipërinë.

Jo shumë kohë më parë, Leon Avdullahu e Albian Hajdari lanë Zvicrën për të luajtur për Kosovën. Veldin Hoxha hoqi dorë nga “shtetësia futbollistike e Kroacisë” për të luajtur për Kosovën.

FIFA publikon emrat e lojtarëve që ndryshojnë përfaqësuese. Tashmë është funksionale edhe “Platforma e Ndryshimit të Federatës e FIFA-s”.

Është Dhoma e Statusit të Lojtarëve të Tribunalit të Futbollit të FIFA-s që vendosë nëse lojtarët kanë të drejtë të ndryshojnë “nacionalitetin sportiv”. Për këtë duhet të plotësohen kushte të caktuara. Lojtari mund ta ndryshojë vetëm një herë ekipin përfaqësues.

Nëse një lojtar i ka luajtur deri në tri ndeshje si senior për një përfaqësuese, pa i mbushur 21 vjet ai mund ta ndryshojë përfaqësuesen.

Nëse lojtari nuk ka luajtur ndeshje për një përfaqësuese seniore, nuk e ka të ndalur ndryshimin e përfaqësueses.

Së fundi Austria u përforcua me lojtarë cilësorë që në të kaluarën kanë luajtur për të rinjtë e Anglisë dhe Gjermanisë. Sulmuesi i krahut i Borussia Dortmundit, Carney Chukwuemeka dhe mesfushori i PSV Eindhovenit, Paul Wanner, janë të lindur në Austri dhe kanë plotësuar kushtet e UEFA-s për ndryshim të përfaqësueses. Chukwuemeka ka kaluar nga Anglia, ndërsa Wanner nga Gjermania. Lëvizjet e tyre janë konfirmuar nga FIFA.

Të dy të martën u ftuan nga përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, për ndeshjet e këtij muaji.

“Jemi të lumtur që ata na zgjodhën. Gjatë stërvitjeve ata kanë rastin të dëshmohen para publikimit të listës për Botëror. Duke shikuar për kohë më të gjatë, jam i bindur se ata do të na ndihmojnë shumë”, ka thënë Rangnick.

22-vjeçari Chukwuemeka ka luajtur për Aston Villan dhe Chelsean para se të transferohej te Dortmundi. Ai luajti për të rinjtë e Anglisë dhe ka mundur ta zgjedhë edhe Nigerinë për shkak të prejardhjes së prindërve të tij.

20-vjeçari Wanner u zhvillua te Bayerni dhe luajti huazim te Heidenheimi. Gushtin e kaluar kaloi se PSV. Ai ka luajtur për të rinjtë e Gjermanisë.

FIFA ka pranuar edhe kërkesën e Adrian Segeçiqit për të kaluar te Kroacia. 21-vjeçari ka luajtur për Australinë U17, U20 dhe U23. Ai luan për Portsmouthin në Angli në nivel klubesh.

“Nuk ishte vendim i lehtë pasi jam rritur në Australi, të cilën e kam përfaqësuar në kategori të reja. Por familja ime është nga Kroacia dhe ndiej se i takoj popullit kroat. Kam pasur dëshirë ta përfaqësojë Kroacinë si vendin tim”, ka thënë mesfushori Segeçiq.

Ka edhe shumë lojtarë që mund të zgjedhin mes dy përfaqësueseve dhe presin momentin e duhur për të bërë zgjidhjen e duhur.

Për shembull Ayyoub Bouaddi. 18-vjeçari po shkëlqen te Lille dhe vlerësohet prej mesfushorëve më të talentaur në Evropë. Ai ka përfaqësuar Francën në grupmoshën U21, por po joshet nga Maroku në prag të Botërorit.

Maroku tradicionalisht merr shumë lojtarë me shtetësi të dyfishtë. Gjithë ata kanë prejardhje nga Maroku, por janë të zhvilluar në Evropë.

“Le të shohim, nuk kam zgjedhur ende”, ka thënë Bouaddi.

Maroku këtë javë i mori tre lojtarë të rinj të zhvilluar në Holandë. Dhe do të vazhdojë të bëjë këtë.

Kosova në vitet e fundit, e Shqipëria për shumë e shumë vjet, kanë përfituar shumë nga lojtarët shqiptarë të rritur në vendet evropiane, kryesisht në Zvicër. Gjysma e ekipit përfaqësues të Kosovës përbëhet nga lojtarë të zhvilluar në vende të tjera, rrjedhimisht nga federata të tjera.

Ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë edhe raste kur Kosova është përdorur për të rritur gjasat e lojtarëve të caktuar që të marrin ftesë nga vendet evropiane. Ka pasur raste po ashtu kur lojtarët kanë kaluar nga Kosova te përfaqësueset e tjera dhe jo vetëm te Shqipëria. Përshembull Besfort Zeneli e Edvin Kurtulush kaluan te Suedia.

Së fundi Valmir Matoshi, që ka luajtur për Zvicën U20 e U21, ka theksuar se është i hapur si për Zvicrën ashtu edhe për Kosovën. Ai po paraqitet me sukses për Thunin, që thuajse ka siguruar titullin në Zvicër. Por Matoshi aktualisht nuk është në listën e Kosovës apo Zvicrës.

Zhvillime të tilla nuk ka vetëm për lojtarët shqiptarë. Dhe ato janë dëshmi e trendit në rritje të kalimit nga një përfaqësuese në tjetrën.