Ndryshimi i përfaqësueses, përkatësisht kalimi nga Zvicra te Kosova i Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit, ngjalli reagime të shumta.
Avdullahu e Hajdari ishin në planet e federatës zvicerane. Po të dy lojtarët vendosën t’i bashkohen Kosovës.
Tema e lojtarëve me shtetësi të dyfishtë është aktualizuar edhe në Gjermani.
Drejtori sportiv i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Rudi Voller, kërkon rregullore të reja nga FIFA.
Reagimi i Vollerit erdhi pas shkëlqimit të Can Uzunit të hënën mbrëma në fitoren e Turqisë kundër Maqedonisë së Veriut.
Edhe
Trendi në rritje i ndryshimit të përfaqësueseve nga futbollistët
Uzun shënoi një gol dhe kontribuoi me një asistim në fitoren 4:0 të Turqisë.
Uzun u lind në Gjermani, ndërsa karriera e tij është zhvilluar në klube gjermane. Ai është pjesë e Eintracht Frankfurtit.
“Fakti që mund të vendosësh kaq vonë është i gabuar. Pse nuk ka një rregull të thjeshtë që duhet të vendosësh për cilin vend luan deri në moshën 18-vjeçare, jo më vonë se kaq? Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Unë e besoj fuqishëm këtë”, ka thënë Voller për “Funke Media Group”.
Deklaratat e Vollerit janë shfrytëzuar në shkrimin e faqes së specializuar për ndeshje dhe lajme sportive “flashscore”.
Në shkrim përmenden disa raste kur lojtarët kanë vendosur të ndryshojnë përfaqësuese.
Edhe
Lojtarët me dyshtetësi bëhen sërish temë në Zvicër
Është përmendur edhe Fisnik Asllani, i cili vendosi për të luajtur për Kosovën e jo për Gjermaninë, të cilën e përfaqësoi në grupmosha.
“Ka shumë shembuj. Can Uzun, Ibrahim Maza, Josip Stanishiq , Fisnik Asllani, Paul Wanner – lista mund të vazhdojë. Herë pas here në vitet e fundit Federata e ka humbur garën për talentet që shpesh, por jo gjithmonë, i kishte rritur vetë”, shkruan “flashscore”.