Futboll

Riola Xhemaili flet për raportin me Avdullahun, Shaqirin e Xhakën

Riola Xhemaili

Futbollistja Riola Xhemaili dhe vëllai binjak i saj, Rioni, kanë folur për shumë gjëra që lidhen me jetën e tyre, karrierën, Kosovën e Zvicrën, në një intervistë të gjatë për mediumin zviceran “NZZ”. 

Futbollistja e PSV Eindhovenit ka treguar se me yllin e ri të mesfushës së Kosovës, Leon Avdullahu, ka luajtur në një ekip. Ka folur për fishkëllimat ndaj Granit Xhakës në ndeshjen Kosova – Zvicra dhe urimet që mori nga Xherdan Shaqiri pas golit në Evropian kundër Finlandës.

“Luajtëm me ekipin U11 të Baselit kundër Luzernit. Leon Avdullahu, i cili tani luan për Hoffenheimin, ishte po ashtu në ekip. Riola shënoi gol nga goditja e dënimit dhe një gol tjetër me kokë. Pavarësisht kësaj, humbëm rreth 10:2. Gjatë rrugës për në shtëpi shokët e ekipit thanë se Riola do ta fitonte një ditë ‘Topin e Artë’. Mendova me vete: Ajo është jashtëzakonisht e mirë. Nuk kishte dallim. Ishte më e mirë se të gjithë djemtë në fushë”, ka thënë Rioni.

Riola ka pasur mbështetje nga familja për t’u bërë futbolliste.

E pyetur nëse është yll në Kosovë, Riola ka refuzuar të përgjigjet. Ajo ka thënë se e ka të vështirë të flasë për veten.

Por për Riolën është përgjigjur vëllai, Rioni.

“Riola është yll në Kosovë. Njëqind për qind”, ka theksuar ai.

Riola Xhemaili ka theksuar se nuk kishte marrë asnjëherë ftesë nga Kosova.

“Kur shkojmë në Kosovë, njerëzit thonë: ‘Ata janë nga ‘jashtë’, ata nuk e dinë vërtet se si jetojmë këtu’. Dhe në Zvicër njerëzit mendojnë se je i shkëlqyer nëse bën diçka të mirë. Por nëse ndodh diçka e keqe thonë: ‘Sigurisht, kjo është me prejardhje nga Kosova’. Nuk mund t’i kënaqësh të gjithë. Kjo është arsyeja pse marr vendime që janë të drejta për mua dhe familjen dhe përpiqem të ndihem mirë për të. Përveç kësaj, nuk kam marrë kurrë ftesë të luaj për Kosovën. Futbolli i femrave në Kosovë nuk ishte aq i përparuar atëherë”, ka thënë Riola Xhemaili.

22-vjeçarja i është shmangur përgjigjes në pyetjen e mediumit zviceran për vërshëllimat ndaj Xhakës në Prishtinë. 

“Kur shënova gol kundër Finlandës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri më përgëzuan. Isha pak më e afërt me Shaqirin. Dhe gjithashtu e njoh shumë mirë Leon Avdullahun, i cili tani luan për Kosovën. Ishim në të njëjtën klasë, luanim për të njëjtin klub. Secili prej nesh ka historinë e vet dhe kjo është ajo që na lidh. Ndonjëherë pyes veten pse pyetja e besnikërisë na bëhet vetëm ne kosovarëve. Ka lojtarë të tjerë në ekipin përfaqësues, prindërit e të cilëve nuk janë nga Zvicra”, ka thënë Riola.

Ajo për përfaqësuesen A të Zvicrës luan nga viti 2020. Ka shtatë gola në 38 ndeshje.