Riola Xhemaili është njëra prej lojtareve më premtuese të futbollit zviceran, por ajo mbetet e lidhur fort me Kosovën.
Edhe pse e lindur dhe e rritur në Zvicër, ajo kurrë nuk e ka harruar prejardhjen.
Për rrënjët e saj ka folur edhe të dielën në konferencë për media.
“Rrjetet sociale janë bërë virale në Kosovë dhe Shqipëri, si edhe në Zvicër. Jam e lumtur për këtë, sepse kam familje atje. Gjyshërit e mi janë atje dhe janë po aq krenarë sa gjyshërit e mi në Zvicër dhe prindërit e mi. Më bën krenare që iu kam sjellë gëzim dy apo tri vendeve”, ka thënë Xhemaili.
Ajo ka treguar se në shtëpi është rritur duke folur shqip. Ka thënë se edhe pushimet i ka bërë në Kosovë.
Edhe
Xhemaili flet për golin historik me Zvicrën
“U rrita me shumë disiplinë dhe korrektësi. Me vlerat zvicerane që i mësova në shkollë dhe në punë. Në shtëpi u rrita duke folur shqip, duke folur shqip me prindërit e mi dhe duke i kaluar pushimet në Kosovë. Edhe unë e kam atë anë timen, temperamentin që e kam në fushë. Por kjo është një gjë e mirë”, ka theksuar Xhemaili.
Ajo solli gëzim të madh e festë në Zvicër të enjten. Me golin e kosovares, Zvicra për herë të parë është kualifikuar në çerekfinale të Kampionatit Evropian.
Falë golit të barazimit ndaj Finlandës, të cilin Riola Xhemaili e shënoi në minutën e 92-të të ndeshjes në Gjenevë, Zvicra e ka siguruar çerekfinalen e Evropianit që po zhvillohet në shtetin helvetik.
Ajo ka folur edhe për golin e shënuar ndaj Finlandës. Premton të tjera paraqitje të mira për Zvicrën.
“Edhe kur luaj si zëvendësuese, e jap maksimumin sikur të isha titullare. Jap gjithçka për vendin tim”, është shprehur Xhemaili.
Edhe
Riola Xhemaili flet për raportin me Avdullahun, Shaqirin e Xhakën
Në çerekfinale, Zvicra luan kundër Spanjës më 18 korrik në Bernë.
“Duhet të përpiqemi sa më shumë të jetë e mundur ta mbajmë portën e paprekur. Do të jetë ndeshje e vështirë, por jo e pamundur për t’u fituar”, ka thënë Xhemaili.
Ajo vlerësohet si një nga talentet më të mëdha në Zvicër. Në moshën 17-vjeçare Xhemaili kishte luajtur për herë të parë për ekipin e të rriturave të Zvicrës.
22-vjeçarja për “helvetiket” i ka luajtur 33 ndeshje, ndërsa i ka shënuar shtatë gola.
Ajo javë më parë e kompletoi transferimin te PSV Eindhoveni në Holandë.
Edhe
Xhemaili flet për momentet e veçanta me Zvicrën
Karrierë ka bërë edhe te Baseli nga viti 2019 deri në vitin 2021. Pas paraqitjeve të mira me fanellën e Baselit, Xhemaili u transferua te Wolfsburgu. Në vitin 2023 me Wolfsburgun u paraqit në finale të Ligës së Kampionëve.
Edicionin 2024/2025 e mbylli me 14 gola dhe gjashtë asistime në 26 ndeshje për PSV-në, ku ishte e huazuar.