Sport

Shkëlqimi i Kamberit në derbin më të madh zviceran

Lindrit Kamberi

Si lojtar i rritur te Zuerichu, Lindrit Kamberi e di peshën e derbit të Grasshopperit. Derbi i qytetit të Zuerichut është më i madhi në futbollin zviceran. Ka histori të pasur e interesante, ndërsa të dielën pasdite u zhvillua për herë të 282-të. Dhe Kamberi dha kontribut të madh që ai t’i takojë Zuerichut. Festa e tifozëve të Zuerichut ishte e madhe, ndërsa vlerësimet për paraqitjen e 23-vjeçarit shumë pozitive.

Kamberi po kalon formë të lartë. Edicioni 2022/2023 është më i miri në karrierën e tij të deritashme. Është stabilizuar në mbrojtjen e Zuerichut, kampion i Zvicrës nga edicioni i kaluar.

Të dielën ndaj Grasshopperit realizoi gol me goditje me kokë. Barazoi rezultatin në 1:1 e më pas golin e fitores 2:1 e shënoi Blerim Xhemaili. Për Xhemailin ishte derbi i fundit. Ai ka vendosur t’i japë fund karrierës si futbollist në fund të këtij edicioni.

“Derbi gjithnjë është shumë emocional. Ky i luajtur dje ishte shumë emocional dhe për fat i takoi skuadrës sonë. Sidomos për ne që jemi rritur në qytetin e Zuerichut, është ndeshje më e veçantë, me vlerë shumë më të madhe. Unë si lojtar i zhvilluar te skuadra e Zuerichut jam rritur duke ndier shumë peshën e derbit të qytetit. Nuk kemi folur me lojtarët e Grasshopperit, nuk jemi dashur dhe e kemi pranuar rivalitetin që ekziston. E di çfarë vlere ka për tifozët dhe jam krenar që kam shënuar gol në këtë derbi dhe kemi fituar”, ka thënë Kamberi të hënën për KOHËN.

Këtë edicion Kamberi i ka 30 paraqitje në Superligën e Zvicrës. Goli në derbi ishte i pari për të. I ka edhe 12 paraqitje të tjera në garat evropiane dhe në ndeshjet për Kupë të Zvicrës. Pra ka arritur në shifrën e 42 ndeshjeve, ndërsa Zuerichu i ka edhe dy ndeshje deri në fund të kampionatit.

Pasi është zhvilluar te Zuerichu, Kamberi kishte periudha huazimi tek Wili dhe Winterthuri. Prej edicionit 2020/21 ka nisur me paraqitje për Zuerichun në Superligë. Në edicionin e kaluar kontribuoi në fitimin e titullit, por nuk ishte i rregullt. Tani po luan rregullisht.

“Në aspektin individual jam i kënaqur si jam paraqitur. Por si ekip kishim kampionat të vështirë. Vjet ishim kampion, ndërsa pjesa e parë e edicionit aktual ishte për t’u harruar. Pas dimrit kemi ecur mirë dhe tani synojmë vend në garat evropiane. Në pjesën e parë ishim shumë keq, kemi përfunduar në vendin e fundit në tabelë. Pra si kampion ishim në vendin e fundit dhe kjo ishte e papranueshme. Në pjesën e dytë jemi stabilizuar. I kërkojmë edhe gjashtë pikë në dy ndeshjet e fundit për të dalë në Evropë”, ka shtuar Kamberi.

Pos Kamberit e Xhemailit te Zuerichu janë edhe Fidan Aliti, Mirlind Kryeziu, Bledian Krasniqi. Ndikimi i shqiptarëve në këtë skuadër është i madh. Kamberi ka kontratë deri në vitin 2025 dhe planet i ka të vazhdojë te Zuerichu. Por thotë se në futboll asnjëherë nuk dihet.

Ai i është kthyer derbit dhe ndihet i lumtur që tifozët e Zuerichut festuan në fund.

“Të gjitha biletat ishin të shitura. Në stadium ishin mbi 22 mijë shikues. Pritja ka qenë shumë e mirë edhe për mua, ndërsa kam marrë shumë mesazhe përgëzimi. Natyrisht që kjo më jep vullnet si lojtarët. Tifozët e kanë merituar këtë fitore. I kemi më të mirët në Zvicër”.

Kamberi ka luajtur për U18 e U20 të Zvicrës. Por në nivelin senior nuk ka luajtur ende për ndonjë përfaqësuese. Konfirmon se ka pasur kontakte me Kosovën. Ai thotë se këtë vit do t’i japë drejtim karrierës në nivel përfaqësuesesh, por pasi ta përfundojë kampionatin me Zuerichun.

“Kontakte kemi pasur. Por u kam thënë që mendjen e kam te Zuerichu. Nuk jam ndier rehat duke ditur situatën e skuadrës, kur si kampion ishim në vendin e fundit. Jam ndier keq për ekipin. Kam luajtur gati rregullisht dhe jam ndier fajtor. Nuk kam qenë i gatshëm të mendoj se kah po shkon rruga ime sa i takon përfaqësueses. Por kam dëshirë që këtë vit ta bëj zgjidhjen. Mendoj se është viti i duhur për të vendosur”, ka thënë Kamberi, duke mos mbyllur dyert e përfaqësueses së Kosovës.

Aliti e Kryeziu janë te Kosova, ndërsa Blerim Xhemaili ka pasur karrierë të suksesshme te Zvicra. Bledian Krasniqi ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës dhe njëjtë si Kamberi nuk ka paraqitje ndërkombëtare në nivelin e të rriturve.

Pas shkëlqimit te Zuerichu, ndoshta shpejt Lindrit Kamberi do ta veshë fanellën e Kosovës. Apo të ndonjë përfaqësueseje tjetër.