Blerim Xhemaili është në rrugën e duhur për ta fituar titullin e kampionit të Zvicrës me Zuerichun. 35-vjeçari ka mundur t’i japë fund karrierës si kampion, por ka vendosur të luajë ende. Xhemaili, të enjten, ka vazhduar edhe për një vit kontratën me Zuerichun, skuadër me të cilën tashmë ka fituar dy tituj të kampionit. Mesfushori me prejardhje nga Tetova do të luajë për Zuerichun të paktën deri më 30 qershor të vitit 2023.
Zuerichu udhëheq në Superligën e Zvicrës me 63 pikë, plot 12 më shumë se përcjellësi i parë, Baseli.
Xhemaili ka luajtur në 20 prej 28 ndeshjeve të këtij edicioni dhe vlerësohet shumë i rëndësishëm për skuadrën ku edhe është formuar si lojtar.
Ai në fillim të karrierës kishte luajtur 135 ndeshje garuese me Zuerichun, ndërsa kishte fituar titullin e kampionit në vitin 2006 dhe 2007. Më pas luajti për Bolton Wanderers në Angli dhe për skuadrat e Serie A si Torino, Parma, Napoli, Genoa e Bologna. Ka luajtur edhe për Galatasarayn në Turqi, Montreal Impactin në Kanada dhe Shenzhenin në Kinë. Për Zvicrën i ka luajtur 69 ndeshje, kurse është paraqitur edhe në ngjarje të mëdha.
Te Zuerichu është kthyer në dhjetor të vitit 2020, ndërsa prej atëherë i ka luajtur 32 ndeshje.
“Me personalitetin dhe përvojën që ka si dhe rolin si lojtar lider, Blerimi është pjesë e rëndësishme e ekipit tonë. Shikojmë para për të vazhduar bashkëpunimin e suksesshëm”, ka thënë Marinko Jurendiq, drejtor sportiv i Zuerichut.
Edhe
Roli vendimtar i Xhemailit në rrugëtimin e Zuerichut drejt titullit të kampionit
Te Zuerichu janë edhe Mirlind Kryeziu, Fidan Aliti, Bledian Krasniqi e Lindrit Kamberi. Por, përvoja e Xhemailit çmohet.
“Është ekipi i zemrës sime. Dua të luaj për aq kohë sa ndihem i lumtur. Momentalisht po ndiej shumë kënaqësi”, ka thënë Xhemaili.