Real Madridi ka kërkuar nga tifozët që të qëndrojnë larg vendeve të zakonshme të festimeve të ekipit në Madrid nëse e fiton titullin e kampionit në La Liga. Kjo kërkesë e Real Madridit ka ardhur në prag të ndeshjes me Villarrealin, duke pasur parasysh se i mjaftojnë vetëm dy pikë për t’u konfirmuar kampion i këtij edicioni, në të cilin kanë mbetur edhe dy xhiro të pazhvilluara, shkruan AP.
Një fitore ndaj Villarrealit të enjten (sot), do të jetë e mjaftueshme për Realin që të sigurojë titullin e 34-të në histori të klubit dhe të parin pas tre vjetësh. Reali aktualisht prin në tabelën e La Ligas me katër pikë më shumë se Barcelona që renditet e dyta.
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për situatën e vështirë që po përjetojmë dhe përpjekjet që bëhen në të gjithë shoqërinë për të ndaluar ndikimin e pandemisë COVID-19. Futbolli po luan gjithashtu rolin e tij në këtë dhe, me ndihmën e të gjithëve, ne arritëm të rifillojmë garat në rrethana jashtëzakonisht të ndërlikuara. Të gjithë ne duhet të japim një kontribut, siç ka ndodhur deri më tani, dhe të tregojmë përgjegjësinë më të madhe për të shmangur rrezikun e infektimit”, thuhet në njoftimin e Realit.
Klubi bëri të ditur se gjithashtu edhe futbollistët nuk do të vizitojnë vendet e festimit, të cilat përfshijnë sheshin “Plaza de Cibeles” në kryeqytetin spanjoll nëse fitojnë titullin e kampionit.
“Real Madridi falënderon anëtarët dhe mbështetësit paraprakisht për mirëkuptimin. E gjithë përpjekja dhe puna e klubit tonë drejt këtij suksesi të mundshëm të titullit është bërë me qëllim të ndarjes së triumfit me tifozët tanë, por jemi të vetëdijshëm që situata aktuale na detyron t’u përmbahemi masave të nevojshme paraprake”, vazhdoi njoftimi i klubit madrilen.