Mustafë Abdullahu ka luajtur pak minuta për Tiranën dhe Përfaqësuesen U21 të Kosovës. Por, i kanë mjaftuar për të rënë në sy të drejtuesve të Rapidit të Bukureshtit.
Mediumet rumune të mërkurën kanë shkruar se Rapidi ka shprehur interesim për portierin 19-vjeçar.
“Portieri i Tiranës është futur në listën e zyrtarëve që merren me transferime te Rapidi dhe në këtë dimër ai mund të bëjë kalimin në kampionatin e Rumanisë. Mustafë Abdullahu ka pasur ecuri pozitive në Shqipëri, edhe pse kalimi i tij në Tiranë ndodhi vetëm disa muaj më parë. Abdullahu vlerësohet portier me potencial dhe shumë premtues”, shkruan “sport.ro”.
Abdullahu është nga Podujeva, ndërsa Tiranës iu bashkua në shtator nga Besa e Kavajës. Ai është i lumtur për interesimin e skuadrave. Nuk ka dashur të zbulojë shumë për klubet e interesuara. Por, thotë se interesimi është motivues.
“Patjetër që e rrit shumë motivin dhe ndihem shumë mirë kur ka interesim për mua”, ka thënë Abdullahu për KOHËN, të mërkurën.
Portieri i gjatë 199 centimetra karrierën e nisi te skuadra e Llapit, ndërsa ishte edhe te Feronikeli 74. Ai për Tiranën këtë edicion ka luajtur gjashtë ndeshje. Mungoi në shumë ndeshje edhe për shkak të një lëndimi që e mbajti jashtë fushës për një muaj e gjysmë.
“Jam shumë i kënaqur me zhvillimin. Por duhet punë e angazhim i madh për të arritur më shumë. Uroj që shpejt të arrij majat e futbollit evropian”, ka theksuar gardiani kosovar.
Rapidi ditë më parë transferoi Florent Hasanin nga Tirana. Hasani po ashtu ka luajtur për Kosovën tetë ndeshje në të kaluarën. Në radhët e veta Rapidi e ka edhe sulmuesin e Kosovës, Albion Rrahmani. Rrahmani është duke u rikuperuar nga një lëndim.
Abbdullahu për Kosovën U21 debutoi muajin e kaluar në fitoren 3:1 ndaj Izraelit, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2025”. Luajti në pjesën e dytë.
Por synimi i tij është më i madh. Ai pret të bëhet shpejt pjesë e Kosovës A.
“Pres të ftohem shpejt te Përfaqësuesja A e Kosovës. Është kënaqësi të luaj për Kosovën. Jam shumë i kënaqur që debutova për Përfaqësuesen U21 ndaj Izraelit dhe do ta jap më të mirën edhe në të ardhmen”, ka thënë Abdullahu.