Florent Hasani e ka vlerësuar lart transferimin e tij te skuadra e Rapidit të Bukureshtit. Ai thotë se mezi pret të paraqitet para tifozëve të ekipit rumun.
Sulmuesi 26-vjeçar synon të shënojë sa më shumë gola për të ndihmuar Rapidin t’i realizojë synimet. Hasani ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Rapidin. U transferua nga skuadra e Tiranës, për të cilën shënoi dhjetë gola në 16 ndeshje. Ai për Tiranën kontribuoi edhe me tri asistime në kampionatin shqiptar, ndërsa po ashtu luajti katër ndeshje në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
“Që kur nisa negociatat me Rapidin doja vetëm të përfundoja mirë në Shqipëri dhe të bëhesha lojtar i Rapidit. Mezi pres të vij në Bukuresht, të luaj para tifozëve dhe të arrijmë objektivat”, ka thënë Hasani për faqen zyrtare të klubit rumun.
Pjesë e skuadrës rumune është edhe sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani. Rrahmani është duke u rikuperuar nga një lëndim, ndërsa pritet të kthehet në fillim të vitit të ardhshëm.
“Unë di diçka për kampionatin rumun, për Rapidin. Kam miq që më kanë thënë gjëra të bukura për Rapidin. Kam folur edhe me Albionin, i cili më tregoi për klubin, për njerëzit në klub dhe tifozët e jashtëzakonshëm”, ka theksuar Hasani.
Rapidi është në vendin e katërt me 32 pikë. Në vendin e parë me 41 pikë është Steaua e Bukureshtit.
Edhe
Hasani mund t’i bashkohet Sepsit
“Kur je futbollist profesionist duhet të fokusohesh fillimisht te objektivat e ekipit, të luftosh për to, të japësh gjithçka dhe më pas të mendosh për qëllimet e tua personale. Mendoj se gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi në krye të tabelës. Rapidi duhet të qëndrojë ashtu si është tani dhe së bashku do të bëjmë një punë të përkryer”, ka thënë Hasani.
Hasani ka shënuar një gol në tetë ndeshje për Kosovën. Tri gola i ka shënuar edhe për Shpresat e Kosovës.