Sport

Ramadani i brengosur me barazimin

Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani ka mbetur i brengosur me barazimin ndaj skuadrës së Ulpianës.

Prishtina luajti 1:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në ndeshjen e xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në futboll.

Për Prishtinën, ky është barazimi i tretë këtë sezon karshi dy fitoreve dhe dy humbjeve. Gjithashtu, ndeshjen kundër Ulpianës, skuadra e Prishtinës e mbylli me një futbollist më pak pasi u përjashtua me karton të kuq mesfushori Erando Karabeci.

“E para, mendoj që ndeshjet në këtë sezon nuk po i zhvillojmë ashtu si duhet dhe ajo që me brengos është se në çdo takim, përveç atij me Feronikelin kemi pranuar gol. Më brengos ky barazim sepse kishim përballë një skuadër që nuk ka objektivin e njëjtë sikurse ne. Por, më brengosin edhe kartonët e kuq, me të cilët po ndëshkohemi në çdo ndeshje dhe për këtë duhet të kemi me tepër kujdes, sidomos tani me sistemin VAR. Edhe pse ishim me një lojtar më pak, mendoj se krijuam me tepër se Ulpiana”, ka thënë Ramadani.