Sulmuesi Gerhard Progni që pritej të zyrtarizohej te Prishtina, është prezantuar të premten me fanellën e Llapit.
Skuadra nga Podujeva ka njoftuar se Progni do jetë pjesë e ekipit për sezonin e ri, dhe vlerësohet si përforcim i madh për trajnerin Tahir Batatina. 35-vjeçari ka firmosur kontratë njëvjeçare me Llapin dhe do t’i bashkohet ekipit në përgatitje për garat evropiane.
Llapi edhe në sezonin e ri, do të paraqitet në kualifikimet për Ligën e Konferencës.
Progni është ndarë me Gjilanin, ekip për të cilin luajti në dy sezonet e fundit. Madje, në edicionin 2021/22, ai ishte golashënuesi më i mirë i Superligës me 19 gola. "Mirësevjen Gerhard Progni! Golashënuesi më i mirë i Superligës sot ka nënshkruar kontratë 1 vjeçare me fituesin e Kupës së Kosovës dhe menjëherë ka filluar stërvitjet me grupin e futbollistëve", thuhet në njoftimin e Llapit.